Të gjithë personat e lidhur shpirtërisht me macen e tyre, e duan atë të jetojnë sa më gjatë të jetë e mundur.
Fatkeqësisht, macet dhe qentë nuk jetojnë aq sa ne, por e sigurt është që aq vite sa jetojnë, ato falin dashuri pakushte.
E rëndësishme është të shijoni çdo moment me ta dhe për sa kohë të jetojnë, të kujdeseni për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Mund të mos ketë ‘ receta magjike të jetëgjatësisë ‘, por ka disa këshilla të dobishme për të ndihmuar kotelen tuaj të dashur të jetojë sa më gjatë dhe mirë.
Ushqimi i ekuilibruar
Hapi i parë për një jetë të mirë është të ushqyerit. Ka kaq shumë ushqime me cilësi të mirë në treg për kotelen tuaj. Ju gjithashtu mund të pyesni veterinerin tuaj për këshilla të mëtejshme. Dieta e koteles duhet të jetë e ekuilibruar dhe të përmbajë të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten për t’u rritur dhe për t’u forcuar.
Ujë të freskët
Ndoshta e dini, por është mirë të kujtoheni herë pas here. Uji i pastër dhe i freskët është shumë i rëndësishëm për shëndetin e maces suaj, prandaj sigurohuni mirë. Tasi ka nevojë për larje të shpeshta, sepse mbledh kripëra të cilat mund të krijojnë probleme për shëndetin e saj.
Sterilizimi
Shumë pronarë kafshësh mund të mos jenë në favor të sterilizimit, por ata po bëjnë një gabim të madh. Me sterilizimin e ndihmojmë kafshën të jetojë më gjatë dhe më e shëndetshme, reduktojmë rrezikun e kancerit deri në 50% dhe e çlirojmë atë nga efekti i estrusit.
Vaksina
Një mënyrë tjetër për të rritur jetëgjatësinë e maces suaj është të siguroheni që ajo të ketë të gjitha vaksinat e nevojshme. Mos e neglizhoni sepse duke e vaksinuar mund ta mbroni nga shumë sëmundje. Për më shumë informacion dhe çfarë vaksinash kanë nevojë për macet, konsultohuni me veterinerin tuaj.
Kontrolle të rregullta shëndetësore
Programoni analizat e gjakut dhe ekografitë një ose dy herë në vit për të kontrolluar organet vitale të kafshës suaj të dashur. Përveç kësaj, kujdesuni për higjienën dentare të maces tuaj.
Preferoni shtëpinë
Macet që jetojnë dhe bredhin jashtë janë në rrezik më të madh se macet e brendshme. Disa nga këto rreziqe janë makinat, pesticidet apo foletë e ndryshme, sulmet nga kafshë të tjera dhe madje edhe vjedhja apo humbja gjatë rrugës për në shtëpi. Pra, preferoni që ajo të jetë në shtëpi dhe krijoni një ambient të këndshëm me gjithçka që i nevojitet për të jetuar e lumtur.
Ushtrime fizike dhe mendore
Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. Sigurohuni që macja juaj të bëjë ushtrime të përditshme, si fizikisht ashtu edhe mendërisht . Në treg mund të gjeni lodra të ndryshme për kotelen tuaj dhe është e sigurt që njëra prej tyre do të bëhet e preferuara e saj. Merrni disa minuta nga koha juaj dhe luani me të. Kjo do të ndërtojë një lidhje më të fortë dhe do ta tregojë se sa shumë e doni – nëse ajo nuk e di ende.
Kujdesi i shpeshtë
Merrni një furçë të mirë dhe krehni macen tuaj. Jo vetëm që do ta ndihmoni me topat e flokëve, por gjithashtu do të jeni në gjendje të kontrolloni për çdo parazitë, plesht apo edhe mbeturina që mund të jenë të ngecur në gëzofin e saj.
Dhe së fundmi por jo nga rëndësia, ata kanë nevojë për dashuri. Shumë e shumë dashuri!
Top Channel