Qindra turistë janë bllokuar në një ishull grek, të goditur nga vërshime masive uji e stuhi të dhunshme, teksa shërbimet e emergjencës i kanë paralajmëruar të qëndrojnë brenda hoteleve të tyre.
“Rrugët janë kthyer në lumenj, uji po gllabëron makina, kosha mbeturinash, gjithçka në rrugën e tij. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë, është e frikshme. Jemi ngjitur e larta sepse ato të parat janë përmbytur”, tha për Daily Mail 25-vjeçarja Victoria Jolley, e cila është bllokuar së bashku me familjen në Skiathos.
Ajo tregoi për MailOnline për tmerrin e saj kur shikonte shpërthimin e stuhisë nëpër rrugët e qytetit poshtë dhomës së saj. Britanikë të tjerë të dëshpëruar kanë përdorur rrjetet sociale për të kërkuar ndihmë.
Ata u ankuan se ishin pa energji elektrike dhe thanë se nuk kishte asnjë mënyrë për të marrë ushqim. Sipas tyre, janë ndërprerë edhe fluturimet nga aeroporti të ndodhur më pak se 2 kilometra larg qendrës së përmbytur të ishullit. Jet2 njoftoi se kushtet e tmerrshme atmosferike nuk i lanë zgjidhje tjetër veçse të anulonin të gjitha fluturimet nga Britania në Skiathos të martën dhe të mërkurën, duke lënë një numër të madh njerëzish të bllokuar edhe brenda aeroportit.
Një person është konfirmuar i vdekur deri më tani në Greqi për shkak të përmbytjeve, ndërsa pesë të tjerë raportohen të zhdukur. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët në disa zona Greqisë qendrore, në zinxhirin e ishujve Sporades dhe në Evia që të shmangin daljet në rrugë për shkak të stuhisë, ndërsa si masa paraprake u evakuua një shtëpi të moshuarish në Volos.
Top Channel