Rusia rrëzon tre drone që kishin objektiv Moskën

05/09/2023 08:40

Rusia ka rrëzuar të paktën tre dronë të lëshuar nga Ukraina mëngjesin e sotëm që kishin objektiv kryeqytetin e shtetit, pretendoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Ministria tha se sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan dy dronë mbi rajonet Kaluga dhe Tver, që gjenden në kufi të rajonit të Moskës. Droni tjetër u shkatërrua në qarkun Istra në rajonin e Moskës. Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se dronët “po synoni të kryenin një sulm në Moskë”, duke shtuar se në qarkun Istra, që gjendet rreth 65 kilometra në veriperëndim të Kremlinit, është dëmtuar një ndërtesë që ofron shërbime për konsumatorët.

Ministria e Mbrojtjes nuk raportoi për dëme apo viktima në lokacione të tjera. Sobyanin tha se copëzat e dronit që u rrëzua në rajonin Tver ranë në fshatin Zavidovo. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA, në Zavidovo gjendet pallati zyrtar rezidencial i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Rezidencat kryesore të Putinit janë në Novo-Ograjovo në rajonin e Moskës, dhe Pallati i Madh i Kremlinit, ku mbahen ngjarjet kryesore. Agjencitë e lajmeve ruse kanë raportuar se pothuajse 50 fluturime janë anuluar ose shtyrë në katër aeroportet më të mëdha në Moskë: Vnukovo, Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky.

Sulmet me dronë ndaj caqeve ruse, veçmas në Krime, gadishullin e aneksuar nga Moska më 2014 dhe në rajonet që janë në kufi me Ukrainën, ndodhin pothuajse përditë që kur dy dronë u shkatërruan mbi Kremlin në muajin maj. Ukraina shumë rrallë merr përgjegjësinë për sulme të tilla me dronë. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA