Duke mbajtur duar simbole fetare dhe flamurin grek ,por edhe duke kënduar psalme mbi 3000 grekë janë mbledhur në qendër të Selanikut në një miting proteste kundër kartave të reja të identitetit që pritet të japë qeveria në muajt e ardhshëm.
Protestuesit kundërshtojnë dhënien e letërnjoftimeve të reja pasi shprehen të shqetësuar se të gjitha të dhënat e tyre personale do të jenë të vendosura , siç theksojnë, në një çip elektronik dhe se do të gjurmohen përmes tyre. Disa pohojnë se përmes identiteteve të reja i hapet rruga Antikrishtit, ndërsa disa të tjerë e karakterizojnë procesin si “skllavëri elektronike”.
“Përse qeveria në këto momente sjellin kartat e reja të identitetit në Greqi? Çështja është se ato do të kenë shumë të dhëna personale. Për mua si psikiatër që jam, ekziston shkelja e lirisë.“-shprehet Giorgos Sirpis psikiatër.
Në miting dhe më pas në marshimin në rrugët e qytetit morën pjesë njerëz të të gjitha moshave nga rajone të ndryshme që hidhnin parulla antiqeveritare.
“Kundërshtojmë se jemi njerëz të lirë . Dhe më pas për lirinë tonë , për besimin tonë dhe për atdheun tonë.“-shprehet një protestues.
Duke ju përgjigjur edhe teorive të konspiracionit që japin e marrin ditët e fundit , qeveria greke ka dhënë sqarime se si do të jetë karta e re e identitetit që zëvendëson modelin e vjetër ,për të respektuar menjëherë rregulloren evropiane, dhe detyrimin ndaj organizmave ndërkombëtarë.
Ajo do të kushtojë 10 euro, do të jetë e vlefshme për 10 vjet dhe do të ketë veçori të përmirësuara të sigurisë.Ana e përparme do të ketë fotografinë e personit, numrin, mbiemrin, emrin, gjininë, datën e lindjes, kombësinë, datën e lëshimit dhe autoritetin që e jep, të skadimit,nënshkrimin e poseduesit.
Ana e pasme do të ketë emrin dhe mbiemrin e babait, të nënës, vendlindjen, grupin e gjakut me pëlqimin e poseduesit, gjatësinë. Ende nuk është përcaktuar në se në vendin bosh do të vendoset Numri Personal i Qytetarit.
Gjithashtu fotografia do të jetë në format dixhital, të dhënat do të jenë të lexueshme për aparatet e kontrollit ,ndërsa do të ketë edhe shenjat e gishtave. Karta e re e identitetit nuk përmban teknologji që mund të regjistrojë të dhënat e kontrollit të vendndodhjes. Ajo gjithashtu nuk ka të shkruar besimin fetar të gjithë secilit.
Bëhet me dije se pas datës 3 gusht të vitit 2026 poseduesit e kartës së vjetër nuk mund të udhëtojnë në vendet e BE.
Top Channel