“Nata e errët e shpirtit”, Nënë Tereza, mes devotshmërisë dhe agonisë së besimit

05/09/2023 08:57

Shtatorin e vitit 2016, përpara 100 mijë njerëzve që mbushnin Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku lexoi në latinisht formulën e shenjtërimit të Nënë Terezës, duke përmbushur kështu dëshirën e madhe të shumë besimtarëve për ta parë të nderuar në këtë mënyrë figurën e gruas që ia kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj të vobektëve e të braktisurve.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi u kthye në simbolin e dhembshurisë për më të pafatët. Për këtë arsye, do të thoshte atëherë kreu i Kishës Katolike, “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta thërrasim e Shenjta Terezë. Shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur e bujare sa në mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.

Dy mrekulli të njohura botërisht i hapën rrugën shenjtërimit të saj. E para, dëshmia e Monika Besra, nënë e pesë fëmijëve që insistoi se lutjet e pareshtura përpara ikonës së Nënë Terezës i sollën shërimin nga kanceri i stomakut. Kjo ndodhi në 1998, një vit pas murgesha shqiptare kishte ndërruar jetë.

Kjo mrekulli u njoh në 2003-shin nga Papa Gjon Pali i Dytë, mbështetës i madh i saj. Tetorin e atij viti, humanistja e njohur, fituese e çmimit Nobel për Paqen, do të shpallej e bekuar nga Vatikani. Mrekullinë e dytë të saj do ta njihte mbi një dekadë më vonë Papa Françesku.

Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru. Në një analizë të saj 7 vite më parë, Associated Press shkruante se kur shenjtëroi Nënë Terezën, Papa Françesku nderoi një murgeshë që ka pasur admirues në gjithë botën, por njohur në të njëjtën kohë shenjtërimi e një gruaje e cila u ndje e braktisur nga Zoti.

Për gati 50 vjet, Nënë thuhej aty duroi atë që kisha e quan “natë të errët të shpirtit”, një periudhë e dyshimit shpirtëror, dëshpërimit dhe vetmisë, që shumë prej mistikëve të mëdhenj e kanë kaluar. Askush, pos udhëheqësit shpirtëror të Nënës Terezë dhe peshkopit, nuk ka ditur për agoninë e saj, derisa letrat e saj dolën në pah gjatë rrugës se lumturimit e më pas, u bënë të disponueshme për publikun e gjerë në librin “Eja bëhu drita ime”, më 2007.

Prifti kanadez që publikoi letrat, Brian Kolodiejchuk, u shpreh se me shenjetërimin e saj, Papa tregoi se Nëna Tereza ndau jo vetëm varfërinë materiale të të varfërve, por edhe varfërinë shpirtërore të atyre që ndjehen “të padashur, të padëshiruar dhe të lënë pas dore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA