Gjeneral rus i zhdukur që nga rebelimi i Wanger, fotografohet për herë të parë

05/09/2023 09:10

Një foto e shkrepur së fundmi, ku duket se shfaqet Gjenerali rus Sergei Surovikin, i cili nuk është parë në publik që nga një rebelim jetëshkurtër i grupit mercenar ‘Wagner’ në qershor, u publikua në mediat sociale të hënën nga një figurë mediatike ruse shumë e njohur.

Gjenerali Sergei Surovikin është gjallë, i shëndetshëm, e në shtëpi me familjen e tij, në Moskë”, shkruante Ksenia Sobchak në krye të fotos duke shtuar: ‘Foto e bërë sot“.

Agjencia ‘Reuters’ nuk ka arritur të verifikojë vërtetësinë e fotografisë, në të cilën shfaqej një burrë me syze dielli dhe kapele, duke ecur përkrah një gruaje, që ngjante me bashkëshorten e gjeneralit, Anna Surovikin.

Media të ndryshme kanë njoftuar se pas rebelimit zoti Surovikin e kishte humbur mbështjen e Kremlinit dhe se ai po hetohej për bashkëpunim të mundshëm me organizatorët e tij. Agjencia ruse Shtetërore e Lajmeve ‘RIA’ njoftoi muajin e kaluar se gjenerali ishte shkarkuar nga detyra e kreut të forcave ajrore dhe se zëvendësi i tij, Viktor Afzalov, kishte marrë detyrën përkohësisht.

Zoti Surovikin, i cili mori pseudonimin “Gjeneral Armagedon” gjatë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në luftën civile në Siri, ishte shkurtimisht përgjegjës për operacionet luftarake të Moskës në Ukrainë, përpara se ky rol t’i jepej në janar, Gjeneralit Valery Gerasimov, shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Zoti Surovikin shihej gjerësisht nga komentuesit rusë të luftës si një figurë e fuqishme e gjeneral i aftë. Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një aksident me avion muajin e kaluar, ishte një kritik i ashpër i strukturave të mbrojtjes ruse, por e vlerësonte shumë zotin Surovikin, duke e quajtur atë “një njeri që nuk ka frikë nga përgjegjësitë”. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA