Ekspozita për nder të Nënë Terezës në Tiranë, presidentja Osmani: Ajo bëri bujë me veprat e saj

05/09/2023 10:31

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në vendin tonë ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.

Osmani tha se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën.

Ajo nënvizoi se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj. Në anën tjetër, homologu i saj, presidenti Bajram Begaj, tha se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

Kjo ekspozitë është hapur me rastin e Ditës së Nënë Terezës, në 26 vjetorin e vdekjes së saj.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, për aq kohë sa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA