Zelensky shkarkon ministrin e Mbrojtjes, në detyrë që nga fillimi i pushtimit rus!

04/09/2023 08:30

Ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksii Reznikov konfirmoi largimin nga detyra, të kërkuar prej kreut të shtetit, Volodymir Zelensky.

Reznikov do të zëvendësohet këtë javë me ligjvënësin tatar të Krimesë Rustem Umerov. Zelensky e bëri njoftimin në llogarinë e tij zyrtare në Telegram, duke shkruar se udhëheqja e re është e nevojshme pasi ministri Reznikov, në detyrë nga fillimi i pushtimit rus, kaloi “më shumë se 550 ditë lufte në shkallë të gjerë”.

Më vonë në fjalimin e tij në mbrëmje, presidenti ukrainas deklaroi se beson që “ministria ka nevojë për qasje të reja dhe formate të ndryshme të ndërveprimit si me ushtrinë ashtu edhe me shoqërinë”.

“Parlamenti i Ukrainës e njeh mirë këtë person dhe Rustem Umerov nuk ka nevojë për prezantim shtesë. Pres mbështetje për këtë kandidaturë nga parlamenti”, shprehet Zelensky.

Largimi i Reznikovit pasoi një skandal rreth blerjes së xhaketave ushtarake nga ministria e Mbrojtjes. Në gusht, gazetarët hulumtues ukrainas raportuan se materialet ishin blerë me një çmim tre herë më të lartë dhe se në vend të xhaketave të dimrit, u porositën ato verore. Në dokumentet doganore të furnitorit, xhaketat ishin me çmim 29 dollarë për njësi, por ministria e Mbrojtjes paguante 86 dollarë për njësi. Ministri Reznikov i mohoi akuzat gjatë një konference shtypi javën e kaluar.

41-vjeçari Umerov, ndërkohë, politikan i partisë opozitare Holos, ka shërbyer si shef i Fondit të Pronës Shtetërore të Ukrainës që nga shtatori i vitit 2022. Ai ishte i përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve të luftës, të burgosurve politikë, fëmijëve dhe civilëve, si dhe evakuimin e civilëve nga territoret e pushtuara. Umerov ishte gjithashtu pjesë e delegacionit ukrainas në negociatat me Rusinë mbi marrëveshjen e grurit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA