Prokuroria Themelore në Shkup po zhvillon hetime lidhur me një skandal në Klinikën e Onkologjisë, ku janë vjedhur citostatikë për nevojat e pacientëve të prekur nga kanceri.

Rasti ka shkaktuar debate në vend por dhe zemërim tek pacientët dhe familjarët e atyre që kanë humbur më të afërmit e tyre nga sëmundja.

Në bazë të hetimeve, rezulton se vjedhjet e ilaçeve janë bërë nga punonjës të klinikës, ndërsa Ministria e Shëndëtësisë bën thirrje që të mos stigmatizohen të gjithë punonjësit shëndetësorë.

Skandali në Klinikën e Onkologjisë në Spitalin Shtetëror të Shkupit ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, në mesin e punonjësve mjeksorë por edhe tek partitë politike.

Pas një shkrimi në gazetën maqedonase Fokus për vjedhjen nga personeli mjeksor të ilaçeve dhe terapisë nga Klinika e Onkologjisë dhe shitjen e tyre në tregje të tjera, Prokuroria Themelore në Shkup konfiskoi dy kompjuterë në këtë spital dhe bastisi dy banesa private në Shkup, por pa dhënë hollësi të tjera lidhur me rastin.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje që të mos damkoset e gjithë klinika dhe profesionistët e mjeksisë në përgjithësi për një individ të dyshuar si keqbërës në këtë rast.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe Drejtorja e Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë, Violeta Klisarova lanë të kuptohet sot në një konferencë shtypi, se një infermiere e punësuar më parë në këtë spital dhe e pushuar nga puna në pranverë të këtij viti ishte akuzuar më parë për vjedhje të terapisë së pacientëve, ndërkohë që ata nuk deshën të flasin për përgjegjësinë gjatë periudhës kur nuk kanë pasur rol menaxhues.

Zoti Mexhiti thotë se duhen zhvilluar hetime të pavarura dhe se askush në sistemin shëndetësor nuk do të mund t’i mbrojë ata që janë përfshirë në veprime të tilla kriminale.

“Autorët e krimit kanë emër dhe mbiemër dhe në procesin e zbulimit dhe sanksionimit ne duhet të mbrojmë mjekët dhe të gjithë personelin mjekësor. Inkurajojmë të gjitha shoqatat e pacientëve me kancer, individëve ose grupeve që mund të ndihmojnë me këtë hetim që të na kontaktojnë ne dhe institucionet e hetimit”, tha Ministri Mexhiti.

Ndërkohë, tek një pjesë e pacientëve apo familjarëve që kanë humbur të afërm nga sëmundjet e kancerit po shtohen dyshimet për manipulimet me barëra në klinikën shtetërore të Onkologjisë.

Se a ka mundur të ndodh që pacientëve gjatë terapisë t’u jepet solucion fiziologjik në vend të citostatitkëve, siç ka dyshime – këtë duhet ta dëshmojë hetimi i Prokurorisë.

Rasti ka thelluar përplasjet midis opozitës dhe partive në pushtet.

VMRO-DPMNE e quan aktin një bashkim kriminal dhe monstruoz të disa personave nga fusha e mjeksisë, të afërm me partitë në pushtet. “Në vend që ilaçet t’u jepen atyre të cilët kanë më së shumti nevojë për to apo që vdesin nga dhimbjet, ata i stërshesin barërat duke lënë pacientët në mëshirë të fatit”, u shprehHristijan Mickovski, kryetar i VMRO-së, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike.

Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk do të ketë falje për askënd dhe se pas 20 vjetësh po pastrohet, siç tha, kriminaliteti në Onkologji.

“Bëhet fjalë për kriminalitet shumëpartiak dhe shumetnik që patjetër duhet të pastrohet”, tha zoti Kovaçevski.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që politika të qëndrojë larg nga hetimet rreth kësaj çështjeje, ndërsa personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

Ndërsa, Presidenti maqedonas Stevo Pendarvoski shikon dështim tek sistemi shëndetësor dhe humbjen e besueshmërisë jo vetëm tek të personat e sëmurë, por vë pikëpyetje edhe tek cilësia e trajtimit të pacientëve në të ardhmen.

Shoqatat e pacientëve të prekur nga kanceri kanë paralajmëruar protesta para qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA