Policia Kufitare i përgjigjet në kohë rekord thirrjes për ndihmë të një qytetari që rrezikoi të mbytej pasi iu përmbys gomonia me të cilën po lëvizte në mes të detit.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se shtetasi kishte telefonuar në sallën operative të Komisariatit të Policisë Sarandë paraditen e sotme, duke iu kërkuar ndihmë sepse mjeti lundrues që drejtonte ishte përmbysur në plazhin e Kasolles dhe rrezikonte të mbytej.
Menjëherë pas telefonatës, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjet lundrues në drejtim të kësaj adrese dhe pas disa minutash kërkime kanë lokalizuar shtetasin që po kërkonte ndihmë dhe gomonen që ishte përmbysur.
Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë marrë këtë shtetas në mjetin e tyre lundrues, dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Më pas kanë nxjerrë në breg mjetin e tij lundrues që ishte përmbysur në mes të detit.
Drejtuesi i mjetit lundrues ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka falënderuar shërbimet e Policisë që i erdhën në ndihmë në kohë rekord.
Top Channel