Ndonëse në qytete të tjera të vendit numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm, në Tiranë ndodh e kundërta, pasi çdo ditë kryeqytetit i shtohen familje të reja, që vijnë për të jetuar e punuar e po ashtu nevojiten shkolla për fëmijët e tyre.
Kryetari i bashkisë së Tiranë Erion Veliaj thotë se për vitin e ri akademik hapin dyert 10 shkolla të reja ndërkohë që të tjera janë në proces
“Pas 40 shkollave që hapëm semestrin e kaluar, hapim edhe 10 të tjera”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka marrë masa për të lehtësuar trafikun në mënyrë që asnjë nxënës të mos vonohet për në shkollë e po ashtu prindërit që i shoqërojnë për në punë .
“Nuk do të ketë kamionë që lëvizin pas orës 7, por natën dhe po kështu furgonë që shpërndajnë patatina, nuk do të lëvizin në orën 7- 9”, u shpreh kryebashkiaku.
Nga ana tjetër edhe për studentët të cilët nisin vitin akademik tre javë më pas, bashkia po bën gati rezidencat akomoduese dhe kampuset në funksion të tyre.
“Kemi liruar hapësirat e zëna”, tha Veliaj.
Tanimë do të lirohen edhe hapësirat ku parkonin automjetet që vinin nga juglindja e vendit pasi është gati terminali në Lundër.
“Sapo kemi certifikuar terminalin në Lundër dhe të gjithë ato që vijnë nga Korça, Elbasani, do të parkojnë aty më pas shpërndahen me dy linja autobusësh në qytet, do të ketë stacion taksish dhe biçikletash”.
Top Channel