Ervin Mete ka ushtruar prej majit 2020 detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.
Gjatë drejtimit të institucionit që mbikëqyr tregun e sigurimeve, fondet e investimeve dhe pensionet private vullnetare, janë miratuar ligjet kryesore për tregjet financiare nën mbikëqyrje, të përafruar në masë të gjerë me Direktivat Evropiane.
Mete mban pozicionin e negociatorit për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Me gradën Master nga Universiteti i Harvardit në SHBA, i specializuar në të drejtë korporatash dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE), në të drejtë fiskale, Z. Mete ka shërbyer më parë si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë në periudhën 2013-2017.
Në këto funksione ka qenë përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj periudhe, Z. Mete ka qenë i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar.
Mete ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit Kombëtar për “Programin e Reformave Ekonomike me Bashkimin Evropian”, si edhe ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar.
Top Channel