Gabon, udhëheqësi i grushtit të shtetit betohet si president

04/09/2023 16:15

Udhëheqësi i ri ushtarak i shtetit afrikan Gabon u betua në pozitën e kreut të shtetit të hënën, vetëm pak ditë pas rrëzimit nga pushteti të Presidentit Ali Bongo, familja e të cilit udhëhiqte vendin prej pesë dekadash.

Gjenerali Brice Clotaire Oligui Nguema u betua në pallatin presidencial, para shumë zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve ushtarakë dhe lokalë në kryeqytetin Libreville. Zoti Oligui është kushëri i presidentit të rrëzuar Bongo dhe ka shërbyer si truprojë e babait të tij të ndjerë. Gjenerali Oligui po ashtu ka shërbyer si kreu i gardës republikane, njësi elitare ushtarake.

Mes ovacionesh, zoti Oligui tha se ushtria mori pushtetin pa gjakderdhje dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të besueshme.

“Me qeverinë e re, të përbërë nga njerëz me përvojë, do t’u japim të gjithëve mundësi të shpresojnë”, tha ai.

Oficerët që organizuan kryengritjen për të rrëzuar zotin Bongo javën e kaluar, thanë se ai rrezikonte ta çonte vendin drejt kaosit dhe se ata “unanimisht” vendosën të emërojnë zotin Oligui president të komitetit tranzitor. Zoti Bongo, që kishte mbajtur pozitën e presidentit në 14 vjetët e fundit, u rrëzua vetëm disa orë pasi ishte shpallur fitues i zgjedhjeve, që sipas vlerësimeve u shoqëruan me shumë parregullsi e mungesë transparence.

Ceremonia e shpejtë e betimit të zotit Oligui do të krijojë përshtypjen e legjitimitetit dhe konsolidimit të pushtetit të tij për të shkurajuar kundërshtarët potencialë që të sfidojnë qeverisjen e tij, thotë zonja Maja Bovcon, analiste pranë Verisk Maplecroft, një kompani për vlerësimin e rrezikut.

“Sigurisht qëllimi gjithashtu është të rikthejë besimin e investitorëve duke përçuar mesazhin se nuk do të humbas kohë që të kthej vendin në normalitet si dhe rendin demokratik”, theksoi ajo. Megjithatë, fakti që ai planifikon të rishkruajë kushtetutën dhe kodin zgjedhor do të thotë që periudha tranzitore do të zgjasë me muaj, nëse jo me vite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA