Suedi/ Policia arreston dy persona në protestën ku u dogj Kurani

03/09/2023 17:27

Policia në Suedi i ka arrestuar të dielën dy persona dhe i ka ndaluar rreth 10 të tjerë, pas trazirave të dhunshme që kanë shpërthyer në një protestë ku është djegur Kurani, kanë njoftuar autoritetet.

Protestat e organizuara nga refugjati irakian Salwan Momika kanë nxitur zemërim të madh në Lindje të Mesme. Ai ka organizuar protesta për ta djegur Kuranin.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin si libër të shenjtë dhe dëmtimin e qëllimshëm të tij e shohin si fyerje të madhe që meriton ndëshkim të rëndë.

Protesta e së dielës është mbajtur në një shesh në jug të qytetit Malmo, zonë në të cilën ka shumë migrantë. Sipas transmetuesit publik suedez SVT, rreth 200 persona janë mbledhur për ta parë Momikan.

“Disa kanë qenë të zemëruar, pasi organizatori i ka djegur shkrimet”, ka thënë policia përmes një deklarate.

“Atmosfera me raste është tensionuar”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Sipas policisë, ngjarja ka përfunduar pas largimit të organizatorit, mirëpo një grup njerëzish kanë qëndruar ende aty. Rreth 10 persona janë arrestuar për prishje të rendit publik dhe dy janë arrestuar për trazira të dhunshme.

Mediat lokale kanë raportuar se disa vëzhgues kanë hedhur gurë në drejtim të Momikas dhe në disa pamje ka pasur njerëz që janë parë duke tentuar ta thyejnë kordonin policor.

Përmes një serie protestash, Momika ka nxitur zemërim dhe i ka rritur tensionet mes Suedisë dhe shteteve të Lindjes së Mesme. Qeveria e Suedisë i ka dënuar djegiet e Kuranit, mirëpo ka thënë se kushtetuta e shtetit e mbron lirinë e shprehjes. Në mesin e muajit gusht, agjencia e inteligjencës në Suedi e ka rritur alarmin për terrorizëm, duke thënë se Suedia është bërë nga shënjestër e sulmeve terroriste në shënjestër me prioritet.

Së fundi, Suedia i ka rritur edhe kontrollet kufitare, derisa ligjvënësit kanë nisur të diskutojnë për rrugë ligjore që mund t’i ndalojnë protestat ku përfshihet djegia e disa teksteve./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA