India e vë në “gjumë” pajisjen e saj në Hënë

03/09/2023 12:51

India e ka fikur pajisjen e saj në Hënë – të parën që ka arritur ndonjëherë në polin jugor hënor – pasi e ka kompletuar detyrën e saj dyjavore duke kryer eksperimente, ka thënë Agjencia Hapësinore e Indisë (ISRO).

Pajisja Pragyan, e nisur me anijen kozmike Chandrayaan-3, është vënë në “gjumë”, mirëpo bateritë vazhdojnë t’i mbushen, ka thënë ISRO, përmes një postimi në X, platformë e njohur dikur si Twitter.

“Shpresojmë për një zgjim të suksesshëm për kryerjen e detyrave në të ardhmen. Përndryshe, do të duhet të qëndrojë përgjithmonë atje si ambasador i Indisë në Hënë”, ka thënë ISRO.

Duke zbarkuar në Hënë, India u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik, si vendet e vetme që kanë arritur atje.

Mirëpo, ditëve të fundit, India ka shkuar edhe më përtej, duke zbarkuar në polin jugor, disa ditë pasi Rusia ka dështuar në një përpjekje të ngjashme.

ISRO ka thënë se pajisja indiane Pragyan ka udhëtuar mbi 100 metra, duke konfirmuar prezencën e sulfurit, hekurit, oksigjenit dhe elementeve tjera në Hënë.

Tani India është duke shpresuar edhe për një tjetër mision të suksesshëm, pasi të shtunën e ka nisur një tjetër pajisje drejt Diellit.

“Sateliti është i shëndetshëm” dhe është në orbitë të Tokës, ka thënë ISRO të dielën, teksa pajisja përgatitet për një udhëtim prej 1.5 milion kilometrave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA