Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të vijë në Tiranë në datat 4 dhe 5 shtator, me ftesë të homologut të saj Bajram Begaj.
Njoftimi u bë i ditur pak ditë më parë, ndërsa ditën e sotme Presidenca dha detaje nga axhenda e vizitës shtetërore, “e cila zhvillohet në një moment të rëndësishëm për dy shtetet tona dhe për rajonin”.
Mësohet se Begaj do ta presë Osmanin me Ceremoninë Zyrtare të Mirëseardhjes në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në orën 10 të datës 4.
Po në datën katër, pas takimit të dy presidentëve do të zhvillohet edhe një takim i zgjeruar mes delegacioneve. Gjatë orës 11:40 – 12:05, dy homologët do të japin një koferencë për shtyp.
Sipas Presidencës, presidentja e Kosovës ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.
Njoftimi i Presidencës:
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj do të presë me ftesë të tij në Tiranë, në një vizitë shtetërore në datat 4-5 shtator 2023 Presidenten e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Vjosa Osmani.
Më poshtë gjeni disa nga detajet e programit në Institucionin e Presidentit të Republikës, të kësaj vizite, e cila zhvillohet në një moment të rëndësishëm për dy shtetet tona dhe për rajonin.
04 shtator 2023
10:00 – Ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Vijohet me takimin mes dy Presidentëve dhe më pas takimin e zgjeruar mes delegacioneve.
11:40 – 12:05 Konferencë për shtyp e dy presidentëve.
Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja Osmani ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.”
Top Channel