Partia Demokratike ka një statut të ri në fuqi nga sot.
Kuvendi i PD së Lulzim Bashës me pjesëmarrjen e 4254 delegatëve miratoi ndryshimet në funksionimin e kësaj force politike.
Konfliktet e Lulzim Bashës janë reflektuar në ndryshime statutore. Basha ka përqëndruar pushtetin në duart e tij, ku nuk do të jetë vetëm kryetar i partisë por edhe kryetar i grupit parlament.
Ky vendim përfshin periudhën kur PD është në opozitë, e në këtë moment Basha largon nga drejtimi i grupit parlamentar Gazment Bardhin, kundërshtarin e rikthimit të tij për mandatin e katërt. Gjithashtu, një tjetër ndryshim i miratuar është përjashtimi nga anëtarësia e demokratëve që kanë garuar për subjekte të tjera zgjedhore, që do të thotë pastron partinë nga mbështetësit e Sali Berishës që kandiduan në zgjedhjet e 14 majit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Por ndryshe nga ndërhyrjet e bëra në statut, Basha u shfaq në pallatin e sporteve “Asllan Rusi” i penduar për të shkuarën e tij politike dhe që pushteti nuk do i takojë më atij.
“Degët tona do të jenë baza ku do të ndërtohet puna jonë. Kontributi i tyre nuk do të nëpërkëmbet nga të deleguarit e qendrës, nga emërimet fictive që edhe unë për hir të vërtetës kam bërë me shumicë në të kaluarën. Duhet të ndërtojmë partinë e anëtarëve dhe jo partinë e kryetarit. Kryetarët ikin e vijnë por demokratët do të jenë aty”, tha Basha.
Për Gazment Bardhin, veprimet e Bashës janë të pafalshme kur sipas tij mashtron me vetëdije demokratët dhe veten për të disatën herë. Duke cituar Dostojevskin e ironizuar Bashën, Bardhi shkruan “ Të jetosh në deziluzion, fatkeqësi personale”.
Top Channel