Mpiksja e gjakut në tru ose në mushkëri mund të shpjegojë disa simptoma të zakonshme të “Covid-it të gjatë”, duke përfshirë mjegullën e trurit dhe lodhjen, sugjeron një studim në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga studimi që përfshiu rreth 1,837 njerëz të shtruar në spital për shkak të Covid, studiuesit thonë se dy proteina të gjakut tregojnë se mpiksjet janë një shkak. Mendohet se 16% e pacientëve të tillë kanë probleme me të menduarit, përqendrimin ose kujtesën për të paktën gjashtë muaj. Covid-i i gjatë mund të zhvillohet edhe pas infeksioneve më të lehta. Por ekipi hulumtues, nga universitetet e Oksfordit dhe Leicesterit, thekson se:
-Gjetjet e tyre janë të rëndësishme vetëm për pacientët e shtruar në spital.
-Nevojiten kërkime të mëtejshme përpara se të propozojnë ose testojnë ndonjë trajtim të mundshëm.
“Identifikimi i parashikuesve dhe mekanizmave të mundshëm ishte “një hap kyç” për të kuptuar mjegullën e trurit pas Covid”, tha autori i studimit Prof Paul Harrison, nga Universiteti i Oksfordit.
Por mund të ketë ende shumë shkaqe të ndryshme të Covid-it të gjatë.
Profesori i mjekësisë së frymëmarrjes në Leicester, Chris Brightling, tha: Është një kombinim i shëndetit të dikujt më parë, vetë ngjarjes akute dhe asaj që ndodh më pas, që çon në pasoja të shëndetit fizik dhe mendor.
Pedagogu i universitetit Dr Simon Retford, nga Lancashire, kaloi dy javë në koma pasi u infektua me Covid në tetor 2020. Tani, ai gëzon një shëndet të mirë, por ende ka probleme me përqendrimin dhe me humbjen e kujtesës afatshkurtër.
Dr Retford ka punuar për policinë, por tani nuk është në gjendje ta bëjë sërish këtë punë.
“Unë fillova punë majin e kaluar dhe isha si një kompjuter shumë i ngadalshëm që luftonte për të filluar. Nëse e teproj tani, ndihem shumë i lodhur”, thotë ai.
Por megjithëse ai nuk mund të shërohet kurrë plotësisht, Dr Retford ka vendosur të qëndrojë pozitiv. Studimi i post-spitalizimit Covid-19 (PHosp-Covid), në Nature Medicine, fajëson nivelet më të larta të fibrinogjenit të proteinës dhe të fragmentit proteinik D-dimer për mjegullën e trurit.
Autori i studimit Dr Max Taquet, nga Oksfordi, tha: Si fibrinogjeni dhe D-dimeri janë të përfshirë në koagulimin e gjakut dhe kështu rezultatet mbështesin hipotezën se mpiksja e gjakut është një shkak i problemeve konjitive pas Covid. Fibrinogjeni mund të veprojë drejtpërdrejt në tru dhe enët e tij të gjakut, ndërsa D-dimer shpesh reflekton mpiksjen e gjakut në mushkëri dhe problemet në tru mund të jenë për shkak të mungesës së oksigjenit.
Ata me nivele të larta D-dimer gjithashtu:
-U ankuan për lodhje ekstreme dhe gulçim.
– Kishin vështirësi në bërjen e një pune.
Top Channel