Bashkimi Europian po e sheh me shqetësim rritjen e rasteve të dhënies së nënshtetësisë së Republikës së Serbisë me procedurë të shpejtë për qytetarët nga Rusia.
BE-ja e konsideron këtë si rrezik në aspektin e sigurisë pasi qytetarët që zotërojnë pasaporta serbe mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen. Një zëdhënës i Komisionit Europian, rikujtoi se Serbia, ashtu si vendet e tjera të rajonit, duhet ta përshtatë politikën e saj të vizave me atë të bllokut.
“Komisioni është në dijeni të numrit të madh të shtetasve rusë që janë vendosur në Serbi pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Si vend kandidat, nga Serbia pritet që në mënyrë progresive të përshtatet me politikat dhe vendimet e BE-së. Komisioni është duke monitoruar me kujdes situatën dhe duke shkëmbyer informatat me autoritetet e Serbisë lidhur me praninë e shtetasve të Rusisë në Serbi”, deklaroi zëdhënësi.
Brukseli vazhdimisht ka kërkuar nga Beogradi që të marrë parasysh shqetësimet e tij dhe vendeve anëtare për rrezikun potencial që mund të krijojë prania e shtetasve të Rusisë në Serbi, e sidomos nëse ata do të pajisen me dokumente që iu mundësojnë udhëtim të papenguar në vendet e Bashkimit Evropian.
Shifrat tregojnë se në shtatë muajt e parë të këtij viti numri i qytetarëve rusë që kanë marrë shtetësi në Serbi, është sa numri total i atyre që morën pasaporta gjatë gjithë vitit 2022.
Top Channel