Gjermanët janë të pakënaqur me sistemin arsimor të vendit.
Një sondazh i fundit tregoi se, cilësia e arsimit në shkollat gjermane është në rënie drastike dhe arsyet janë disa duke nisur që nga mungesa e stafit pedagogjik, e deri tek sfidat në rritje me fëmijët që nuk flasin gjermanisht në shtëpi.
Vetëm 27 për qind e të anketuarve i japin sistemit arsimor në Gjermani vlerësimin më të mirë. Anketimi i realizuar nga Instituti gjerman për Ekonomi (IW) me porosi të Iniciativës për një Ekonomi të Re Sociale të Tregut (INSM), pati rezultate shqetësuese: 79 për qind e të anketuarve thonë se sistemi arsimor është përkeqësuar që nga pandemia e virusit korona.
Ekspertët i përshkruan si alarme shifrat e përcjella prej tij. Sipas të dhënave të të ashtuquajturit “barometri arsimor” i IW, sistemi arsimor është përkeqësuar veçanërisht në segmentet e cilësisë së mësimdhënies, integrimit dhe arsimit të përgjithshëm, duke nxitur thirrjet për një kthesë drastike kur bëhet fjalë për politikën e shkollimit.
Ministrja e arsimit Bettina Stark-Watzinger premtoi “mbështetje të fortë” për landet e Gjermanisë, sepse politika arsimore është kompetencë e landeve. Planet e qeverisë federale përfshijnë edhe shpalljen e rreth 4.000 shkollave me një përqindje të lartë nxënësish të neglizhuar nga shoqëria si “Shkollat me shanse fillestare”, ku vëmendje e veçantë do të t’i kushtohet njohurive bazë, si leximi, shkrimi dhe matematika.
Sipas studimit, problemi më i madh për rënien e cilësisë së arsimit është mungesa e stafit pedagogjik dhe fakti që po jepen shumë pak para për arsimin, ndërsa sfida të mëdha paraqet edhe emigracioni.
Top Channel