“Pacientët e operuar nga kirurgët gra kanë më pak gjasa të përjetojnë komplikime”, thotë hulumtimi i ri, i bazuar në dy studime që sugjerojnë se kirurgët meshkuj duhet të jenë më të detajuar dhe më të kujdesshëm.

Mjekët në Kanada dhe Suedi shqyrtuan më shumë se 1 milion të dhëna pacientësh nga dy regjistra të veçantë mjekësorë dhe zbuluan se pacientët që kishin vizituar kirurge gra kishin rezultate dukshëm më të mira me më pak probleme në muajt pas operacionit.

Studiuesit po hetojnë arsyet e mundshme për këto dallime, por të dhënat më së shumti tregojnë se kirurget gra priren të operojnë më ngadalë dhe mund të arrijnë rezultate më të mira duke i kushtuar kohë detajeve dhe saktësisë. Dr.Christopher Wallis, i cili drejtoi një nga studimet në Spitalin Mount Sinai në Toronto, tha se gjetjet duhet t’i nxisin kirurgët meshkuj të rimendojnë qasjen e tyre ndaj kirurgjisë dhe të mësojnë nga koleget gra për të mirën e pacientëve të tyre.

“Si një kirurg mashkull , mendoj se këto të dhëna duhet të më bëjnë mua dhe kolegët e mi të ndalemi dhe të mendojmë se pse kjo mund të ndodhë”, u shpreh ai.

Ekipi i Wallis shqyrtoi komplikimet mjekësore, ripranimin në spital dhe normat e vdekjeve pas operacionit në gati 1.2 milionë pacientë në Ontario midis 2007 dhe 2019. Të dhënat përfshinin 25 operacione të ndryshme në zemër, tru, kocka, organe dhe enët e gjakut. Pacientët e vizituar nga kirurget gra dolën më mirë një vit pas operacionit, me 20.7% që patën një ngjarje të pafavorshme postoperative, krahasuar me 25% të atyre që u panë nga kirurgët meshkuj. Pacientët të trajtuar nga kirurgët meshkuj kishin 25% më shumë gjasa të vdisnin një vit pas operacionit sesa ato të trajtuara nga kirurgët gra./ tar

Top Channel