Rrëmbimi në Sarandë/ Katër muaj pas zhdukjes së dy personave, zbulohen autorët

30/08/2023 19:50

4 muaj pas rrëmbimit të dy miqve Leonard Theodhori dhe Fatmir Sulovari në Sarandë dhe zhdukja pa gjurmë e tyre  policia e shtetit zbuloi personat që ishin të implikuar në këtë ngjarje.

Në pranga të policisë ra 29-vjeçari nga Kamza Albi Mecini dhe u shpall në kërkim  me vendim të gjykatës Sarandë 25-vjeçari, Sebastian Lataj për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Hetimet e çuan policinë në këto emra por jo drejt gjetjes së trupave të të zhdukurve që po kërkohen me ngulm prej 9 prillit nga familjarët. E rezervuar policia tregohet edhe për sa i përket motiveve të ngjarjes pasi ka dyshime për persona të tjerë të implikuar.

Por rrëmbimi nuk ishte i vetmi aktivitet kriminal i Meçinit.

Me arrestimin e tij policia parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale që mund të kishte pasoja të rënda në jetët e njerëzve. 29-vjeçari u kap nga Forcat Operacionale në aksin rrugor “Mbrostar-Fier” ku në automjetin e tij kishte  2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë.

Gjithashtu, nga kontrolli i zonës u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.

Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim 27-vjeçarin nga Dibra Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukalin të cilët u shpallën në kërkim, kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Top Channel