Gjykata e Strasburgut: Kombet konstituive në Bosnjë të privilegjuara, sistemi zgjedhor jodemokratik

29/08/2023 12:37

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg tha të martën se kombet konstituive në Bosnjë e Hercegovinë gëzojnë pozitë të privilegjuar në sistemin e tanishëm, i cili e minon karakterin demokratik të zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës e Hercegovinës, kombet konstituive janë boshnjakët, serbët dhe kroatët.

Gjykata e mori këtë vendim pas një ankese nga Slaven Kovaçeviç, pasi gjeti se të drejtat e tij ishin shkelur dhe se ai ishte diskriminuar, për shkak se nuk i lejohej të votonte për kandidatët për Dhomën e Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës e Hercegovinës, dhe për anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës të cilët nuk janë pjesë e kombeve konstituive dhe nuk jetojnë në një entitet të caktuar.

Kovaçeviç u ankua se e drejta e tij për të votuar kërcënohet duke qenë se si një person që jeton në entitetin e Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, ai mund të votojë ekskluzivisht për kroatët dhe boshnjakët në zgjedhjen e anëtarëve të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës e Hercegovinës, tre anëtarë emërohen në Presidencën e Bosnjës e Hercegovinës “një boshnjak dhe një kroat nga entiteti i Federatës së Bosnjës e Hercegovinës” dhe “një serb nga entiteti i Republikës Sërpska”, i cili është kriter që ua ndalon hebrenjve, romëve dhe të tjerëve të garojnë për poste dhe për anëtarë të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe për delegatë për Dhomën e Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës e Hercegovinës, pjesë e të cilës janë nga pesë boshnjakë, kroatë dhe serbë.

Në vendimin e 29 gushtit, Gjykata e Strasburgut gjeti se kombinimi i pretendimeve territoriale dhe etnike përbën diskriminim.

“Ky aranzhim i tanishëm i jep përparësi përfaqësimit etnik para atij politik, ekonomik, shoqëror, filozofik apo faktorëve të tjerë, duke i forcuar ndarjet etnike në vend dhe duke e minuar karakterin demokratik të zgjedhjeve”, tha Gjykata e Strasburgut.

Gjykata nënvizoi se Presidenca është organ politik, jo entitet. Vendimet dhe politikat e saj janë për të gjithë qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës, pavarësisht se a jetojnë ata në Federatën e Bosnjës, Republikën Sërpska apo në qarkun e Brçkos.

Ajo, po ashtu, theksoi se ekzistenca e Dhomës së Popullit e përbërë vetëm nga përfaqësuesit e tri grupeve mbizotëruese etnike, do të ishte e pranueshme në kontekstin e Bosnjës e Hercegovinës, vetëm nëse pushteti i saj kufizohet përcaktimin strikt dhe të ngushtë të interesave nacionale të kombeve konstituive./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA