Katër ditë pas vapës në Zvicër bie borë! Temperatura kanë rënë me 30 gradë

28/08/2023 21:10

Pas valës së të nxehtit, Zvicra tashmë është përballur me reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje balte, ndërsa bora tashmë është rishfaqur.

Sot, e hënë, ka rënë borë në Valais të Zvicrës jugore, në lartësinë 1638 metra.

“Temperatura pati një rënie mbresëlënëse, brenda katër ditëve. Të enjten, termometri ishte 31.2 °C. Sot në orën 11.15 ishte 0.5 °C”, raportoi shërbimi i motit MétéoSuisse në platformën X (ish Twitter).

Shumë qafa malore në Alpe, si Gotthard dhe Zimblon, kanë mbetur të mbyllura sot, për shkak të reshjeve të shiut që nisën mbrëmjen e së premtes dhe shkaktuan rrëke balte. Shërbimet e trenave u anuluan në disa zona për shkak të rrëshqitjeve të dheut.

Lumi Rhine është vërshuar në luginën nëpër të cilën rrjedh në Zvicër, por deri më tani nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara, siç raporton agjencia zvicerane e lajmeve Keystone-ATS.

Reshje të dendura shiu ndodhën edhe në zonat italishtfolëse të Zvicrës, veçanërisht në kantonin Ticino. Reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe nesër, njofton shërbimi meteorologjik. Në male do të bjerë sërish borë, por kjo nuk mjafton për të shpëtuar akullnajat zvicerane.

Zvicra dhe ekosistemi i saj janë veçanërisht të prekur nga ndryshimet klimatike. Situata në akullnajat përshkruhet si dramatike: midis 2021-2022 ata humbën 6% të vëllimit të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA