Për të nëntën ditë vijon beteja me zjarret në Evros, me frontin kryesor në zonën e Leptokaryas.
Shpërthime gjatë natës ka pasur në pyllin e Dadias, ku situata po shkakton shumë probleme. Forca tokësore zjarrfikëse, së bashku me zjarrfikës vullnetarë dhe Forca të Armatosura po marrin pjesë në operacionet e shuarjes së zjarrit, ndërsa 4 avionë dhe 3 helikopterë kanë nisur hedhjen e ujit që në dritën e parë të ditës.
Zëvendësguvernatori i Evros, Dimitris Petrovich, tha për median greke ERT se është një situatë shumë e vështirë, e cila ka shkaktuar shkatërrime të panumërta.
“Fatkeqësisht, shohim që fronti i Dadias nuk mund të mbahet nën kontroll. Dhe kjo është më shqetësuese. Dje kemi pasur alarm në Avra, Sykorrachis, Aisymi. Erërat ndryshuan dhe ne patëm një kërcënim, por e rëndësishme është që zjarri në Dadia nuk mund të mbahet nën kontroll”.
Dje është mbledhur trupi koordinues për mbrojtjen civile të Evros dhe është bërë një thirrje tjetër për përforcimin e mjeteve. Nga e hëna do ndryshojnë erërat, kështu që kërcënimi do rritet dhe më pas nuk e dimë se si dhe nëse do të mund të ndalet avancimi i frontit të zjarrit”, ka theksuar ai, pasi nga nesër pritet që erërat të kthehen në drejtim të jugut.
I pyetur se pse nuk shuhet dot zjarri në Evros, zëvendësguvernatori tha se pylli i Dadias nuk është pastruar asnjëherë.
“Pylli i Dadias është i virgjër. Pylli nuk ishte pastruar kurrë. Duhet të menaxhohet ndryshe. Le të përgjigjen përgjegjësit e menaxhimit të pyjeve. Në një moment duhet të ndajmë zjarret e pyjeve nga ato urbane, të ketë një strukturë tjetër që do të ketë ndihmën e shërbimeve pyjore”, shtoi ai.
Në fund, zëvendësguvernatori vuri në dukje se të nesërmen duhet t’i kushtohet një rëndësi e madhe mbrojtjes kundër përmbytjeve të Evros.
“Pas zjarreve vijnë përmbytjet. Duhen projekte shumë të forta kundër përmbytjeve”, theksoi ai.
Top Channel