Rreth 650 vullnetarë i janë bashkuar strukturave të emergjencave civile në Bashkinë e Elbasanit për të pasur një reagim më të shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore.
Vullnetarët janë banorë të zonave të trajnuar sidomos për ndërhyrjet e para në raste zjarri dhe njoftimin në kohë të ekipeve zjarrfikës.
“Neve kemi ndërtuar një strukturë e cila në bazë të çdo njësie dhe përgjegjësi është kryetari i njësisë administrative, i cili në mbështetje ka grupin e vullnetarëve që përbëhet nga kryepleqtë dhe dhe anëtarët e pleqësisë, por edhe banorë të zonës. Për këto është bërë trajnim dhe mënyra se si ata aktivizohen për t’u ngritur grupi në alarm në raste se kemi rënie të zjarreve”, u shpreh Xhevahir Kapllanaj, përgjegjës i menaxhimit të strukturave vullnetare.
E krijuar 3 vite më parë struktura e grupit të vullnetarëve, ka rezultuar efektive sidomos në zona shumë të thella malore, ku ndërhyrja e parë e banorëve të zonave ka bërë që të shpëtojnë pa u djegur sipërfaqe të mëdha me pyje.
“Kam kaq vite që punoj si vullnetar dhe të gjithë e kemi dëshirën e mirë që ne pyet duhet t’i mbrojmë. Të na ruajë Zoti nga zjarret”.
“Kam 15 vjet që punoj si vullnetar, na japin rrobat dhe veshmbathjet. Pompat i kemi të gjitha dhe kemi 15 vite që ruajmë pyllin”, janë shprehur disa vullnetarë.
Emergjencat civile kanë përcaktuar edhe zonat me risk më të madh nga zjarret ku angazhohen një numër më i madh vullnetarësh. Kryesisht janë trajnuar barinjtë të cilët qëndrojnë në male për të njoftuar në kohë për çdo emergjencë të mundshme.
Top Channel