Anija e shpëtimit Ocean Viking ka shpëtuar 438 migrantë në Mesdhe gjatë dy ditëve, tha organizata SOS Mediterranee, që udhëheq këtë anije.

Operacionet e shpëtimit janë zhvilluar në ujërat ndërkombëtare afër brigjeve të Libisë dhe Tunizisë, tha organizata joqeveritare me seli në Francë. Sipas organizatës, të enjten janë shpëtuar 272 persona nga 23 kombësi të ndryshme. Ata po udhëtonin me tri anije të ndryshme në Mesdheun qendror, që është rruga më e përdorur në botë nga migrantët.

Nga të shpëtuarit, “32 ishin të mitur të pashoqëruar, nëntë foshnja dhe pesë persona me aftësi të kufizuara”, tha organizata.

Ndërkaq, një ditë më pas janë shpëtuar edhe 166 persona të tjerë që po udhëtonin me anije të tjera.

Migrantët e shpëtuar janë evakuuar “në koordinim me rojet bregdetare italiane që ishin në zonën e kërkim-shpëtimit midis Tunizisë dhe Lampedusës”.

Ishulli italian i Lampedusës, që gjendet 145 kilometra nga Tunizia, është porti i parë për shumë migrantë që ndërmarrin rrugëtimin e rrezikshëm për në Evropë nga Afrika e Veriut.

Organizata shtoi se anija Ocean Viking është nisur drejt Gjenovës, në veri të Italisë, pasi autoritetet italiane kanë urdhëruar që anija të shkojë në këtë qytet për të zbarkuar migrantët.

Të paktën 2.013 persona kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë këtij viti në përpjekje për të kaluar Mesdheun, ka thënë agjencia e Kombeve të Bashkuara për migrantë.

Ky është numër më i lartë krahasuar me shifrat për gjithë vitin 2022, kur vdiqën ose u zhdukën 1.417 persona.

Në qershor, një anije u përmbyt në Mesdhe duke lënë të vdekur të paktën 82 persona. Ky ishte një prej incidenteve më vdekjeprurëse ku ishin të përfshirë migrantët./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA