Gruaja e vetme mes 10 influencuesve më të njohur për automobilat, është shqiptare: Kam mësuar të luftoj stereotipet që fëmijë

25/08/2023 15:27

Fjona Çakalli, është gruaja e vetme në mesin e 10 ndikuesve kryesorë në botë për automobilat sipas renditjes së TikTok, Instagram dhe Facebook.

Nëse jeni përdorues i rrjeteve sociale, nga Instagrami deri tek TikTok, edhe ju me siguri do të keni hasur emrin e Fjona Çakallit dhe e keni parë guximin e saj të papërmbajtshëm teksa ju flet për makina apo produktet teknologjike.

Në fund të fundit, është e pamundur të mos e njohësh sepse, sot ajo konsiderohet si një nga influencueset më të njohura të makinave. Dhe po, nëse emri ju tingëllon si shqiptar, Fjona Çakalli është shqiptare, vajza e dy balerinëve solistë në vitet ‘70 të Teatrit të Operas dhe Baletit, Ludmill Çakalli dhe Tatiana Sulejmani, të cilët u larguan nga Shqipëria për një jetë më të mirë drejt Italisë në vitin 1992 pikërisht me anijen Vlora.

Fjona e lindur të Shqipëri u rrit në Itali dhe ishte një vajzë adoleshente kur hapi blogun e parë në Itali për video lojërat. Vetëquhej Games Princess dhe ishte vërtet  princesha e video lojërave.

Që atëherë kanë kaluar vite. Fjona Çakalli nuk u ndal kurrë. Pas video lojërave erdhi teknologjia dhe më pas radha ishte e makinave.

Ndaj jo rastësisht sot ajo është një nga ndikueset më të njohura të automobilave: në qershor ajo rezultoi nga një renditje e TikTok si një nga tre krijuesit e përmbajtjes që, mbi të gjitha, po ndihmon në rritjen e komunitetit të makinave në platformë. Por kjo nuk është e gjitha: Facebook dhe Instagram (për të mos përmendur YouTube) gjithashtu e vendosin atë në mesin e dhjetë emrave më me ndikim në këtë sektor në Itali.

Ajo madje është gruaja e vetme në mesin e 10 ndikuesve kryesorë për automobilat sipas renditjes së TikTok, Instagram dhe Facebook.

Unë kam mësuar të luftoj stereotipet që kur kam qenë fëmijë. Prindërit e mi ishin balerinët kryesorë të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe kur isha vajzë e vogël ishte normale për mua të shihja një burrë veshur me geta që kërcente balet që konsiderohej si profesion femëror. Pasioni im për makinat lindi pak si sfidë. Kënaqësia e fëmijërisë për t’i vëzhguar në mënyrë të pandërgjegjshme më bëri të eksploroja botën e tyre vetë. Të qenit në ato renditje sot është një burim krenarie për mua: është sinonim i asaj se sa shumë nuk jam mësuar të ndjek modele. Unë ndjek vetëm atë që më pëlqen të bëj, duke mësuar të mos kem më frikë të bëj gabime. Dhe është diçka që publiku e percepton.”, thotë ndër të tjera Fjona Çakalli, në intervistën ekskluzive për revistën “The Wom” që i dedikohet gruas.

Por pavarësisht arritjeve në profilin e saj nuk mungojnë edhe komentet “shoviniste” siç i quan ajo.

Ka komentet shoviniste të meshkujve në rrjete të ndryshme sociale që më thonë: “Pse nuk shkon të bësh thonjtë?”, “Çfarë po bën këtu?”.  Nuk e kuptoj se çfarë problemesh kanë: mund të shkoj edhe t’i rregulloj thonjtë, por asgjë nuk më pengon të vazhdoj të bëj atë që dua. Ndonjëherë më ndodh që t’u përgjigjem. Jo aq shumë për mua, nuk më prek aq shumë, por e bëj për vajzat e tjera që ndoshta duan ta provojnë ti hyjnë kësaj rruge dhe stepen sepse e gjejnë veten duke luftuar me pengesa që rrjedhin nga një kulturë e gabuar e dominuar nga meshkujt. Ndjehem përgjegjës për ta: kur ke aftësi për të bërë diçka, nuk ka rëndësi se çfarë seksi biologjik të është caktuar në lindje. Nuk ka aktivitete apo tema tabu.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA