Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se pret nga Ukraina të kthejë mbështetjen ndaj Kosovës.
Ajo përsëriti mbështetjen ndaj këtij vendi, ku tha se askush nuk mund të bie në kurthin e Putinit. Kështu u shpreh ajo në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, ku ambasadat dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë pritur gazetarët e strehuar nga Ukraina.
Gazetarja e parë ukrainase e cila u strehua në Kosovë tha se Prishtina është shtëpia e saj e dytë.
Në shënimin e ditës së Pavarësisë së Ukrainës, e para e shtetit deklaroi se po i bashkohen mbështetjes ndaj këtij vendi, duke kujtuar sakrificën dhe vendosmërinë për të luftuar për paqe.
“Ju jeni shembull i shkëlqyer për gjithë botën, e një shembull që Kosova e njeh shumë mirë. Përveç dhimbjes së përbashkët me Ukrainën, Kosova fatkeqësisht është eksplaotuar nga narrativi i lidershipit rus për ta arsyetuar sulmin e tyre për luftën në Ukrainë. Agresioni ushtarak i Rusisë së Putinit ndaj Ukrainës, jo vetëm që është agresion brutal ndaj një shteti, por është agresion ndaj rregullave dhe rendit botëror të të drejtave, gjë të cilën Kosova gjithmonë e ka respektuar. Çdo përpjekje e Rusisë dhe duarve të saj të zgjatura, edhe në pjesët e pushtuara të Ukrainës është manipulative dhe duhet të refuzohet nga të gjithë demokracitë e botës. Askush nuk mund të bie në kurthin e Putinit”, tha Osmani.
Askush në Evropë, theksoi Osmani, nuk mund të mbështesë narrativën e Rusisë. Osmani tha se Kosova e ka përjetuar dhimbjen dhe trimërinë e Ukrainës. Kryetarja e shtetit tha se qytetarët nga Kosova nuk mund të imagjinojnë frustrimin nga padrejtësia e madhe, sepse këtë e kanë ndjerë vetë.
“Kosova ka qenë dhe mbetet mbështetëse e fuqishme lirisë, sovranitetit dhe paqes së drejtë të Ukrainës kundrejt një fqinji agresiv e gjenocidal me mendje hegjemoniste dhe gjithmonë do të jemi mbështetës të këtillë. Përkrahja jonë është parimore dhe orientohet nga vlerat që janë të rrënjosura thellë në themelet e shtetit tonë sovran. Në të njëjtin drejtim presim që Ukraina do të kthejë mbështetjen edhe kah Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran dhe një aleate e natyrshme në këtë rajon. Lufta i ka përafruar popujt tanë dhe tanimë është koha për vendimet me kurajo për të themeluar edhe marrëdhëniet tona”, deklaroi ajo.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde tha se për herë të dytë, Ukraina po e feston pavarësinë e saj në kohë lufte. Sipas tij, shënimi i kësaj dite në Kosovë tregon mbështetjen për Ukrainën dhe gjithë gazetarët që po qëndronin atje.
“Që nga fillimi Kosova ka bërë të qartë që e mbështet Ukrainën dhe qëndron përkrah saj fuqimisht kundër agresionit rus ndaj Ukrainës. Kjo mbështetje është përtej fjalëve dhe nuk është vetëm e dukshme në flamujt e Ukrainës që janë paraqitur në qytetet e Kosovës dhe në ambasadat tona që do të ngjyrosen me ngjyrat e Ukrainës sonte. Por është mbështetje e dhënë edhe nga Qeveria e Kosovës bashkë me iniciativat tona. Që nga viti i kaluar kjo iniciativë mbështetur nga qeveria gjermane dhe partnerët tjerë lokalë i mundëson gazetarëve të Ukrainës që të qëndrojnë në mënyrë të sigurt në Kosovë nga Ukraina. Si pjesë e kësaj iniciative deri më tani 12 gazetarë të Ukrainës kanë marrë pjesë në këtë program rezidence”, u shpreh Rohde.
Rohde tha se qëndrojnë pranë Ukrainës, si shtet i pavarur e sovran ku shtoi se lufta ruse po sulmon çdo gjë.
“Lufta ruse po sulmon çdo gjë, sigurinë, lirinë, demokracinë dhe paqen. Për një vit e gjysmë, Rusia ka shkelur dhe ka neglizhuar çdo lloj të drejte që është sfiduese për gjithë botën. Mbështetja dhe garancia për Ukrainën mbetet e fuqishme dhe ky qëllim i përbashkët, kjo mbledhje e përbashkët afekton këtë….Ne të gjithë e duam paqen, ne vazhdojmë t’i bëjmë presion Putinit që të ndalë këtë luftë dhe nuk mund të ketë kurrfarë çmimi që lë anash pavarësinë dhe integritetin e Ukrainës. Ukraina do të jetë sovrane me asnjë lloj kushtëzimi dhe vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet paqja e mundshme”, shtoi ai.
Gazetarja e parë ukrainase që u strehua Kosovë, Lyudmila Makey u shpreh se çmimi i pavarësisë së Ukrainës është i lartë.
“Së paku 60 gazetarë janë vrarë, kanë vdekur çdo ditë në Ukrainë gjatë agresionit. 16 së paku kanë vdekur gjatë jetës së tyre duke bërë veprimtarinë e tyre profesionale. Nuk janë kthyer asnjëherë në zyrat e tyre, në redaksitë e tyre. Kanë qenë specialistë të nivelit të lartë dhe është me të vërtetë e trisht. Unë dhe kolegët e mi jetojmë në Kosovë tash e një vit, ndërsa Prishtina është shtëpia jonë e dytë dhe dua të them faleminderit shumë për këtë program unik të rezistencës për gazetarët në Kosovë”, përfundoi ai.
12 gazetarë ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit ”Journalists in Residence-Kosovo” të iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Një vit e gjysmë më parë, Rusia nisi agresionin e plotë ndaj Ukrainës, duke shkaktuar luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Top Channel