VIDEO/ Në rënie të lirë, duke u rrotulluar në ajër! Zbardhen momentet e fundit, si u rrëzua avioni i shefit të Wagner

23/08/2023 21:30

Zbardhen momentet e rrëzimit të avionit të shefit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili u ra në rajonin Tver, në veri të Moskës.

Në pamjet e publikuara në mediet ndërkombëtare, shihet avioni që rrotullohet pambarimisht në rënie të lirë nga lartësia, derisa prek tokën duke shpërthyer në tym të zi dhe flakë. Gjatë kohës së rrëzimit avioni lë pas një vijë të gjatë tymi, çka të jep përshtypjen se diçka nuk ka shkuar mirë në bord në momentin e fluturimit.

Në listën e pasagjerëve të aeroplanit që u rrëzua, sipas autoriteteve ruse, ishte edhe Yevgeny Prigozhin, megjithatë kjo nuk do të thotë se ai është vrarë me siguri. Ende ka dyshime nëse shefi i Wagner ka hipur apo jo në aeroplanin privat.

Nëpër rrjetet sociale ka spekulime për një aeroplan të dytë që i përket Prigozhin, i cili ka bërë zigzage mbi Moskë, sipas sistemeve të gjurmimit të Radarit të Fluturimit.

Aeroplani i dytë u ul i sigurt në një aeroport biznesi në Moskë. Ka spekulime se Prigozhin mund të ketë qenë në këtë aeroplan të dytë – por tani për tani, mbeten thjesht në kuadrin e spekulimeve.

10 persona humbën jetën në fluturimin e sotëm. Megjithatë, do të kalojë pak kohë derisa ajo që ka ndodhur të mund të hetohet nga mjekësia ligjore.

 

Top Channel