Koalicioni “Forumi Shqiptar” do të jetë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi.
Lajmin e bëri të ditur vetë kryetari i tij, Nik Gjeloshaj i cili sqaroi përmes një postimi në Facebook se shqiptarët do të kenë portofolin e Ministrit të Administratës Publike dhe postin e Zëvendës Kryeministrit për Investimet Kapitale.
“Forumi shqiptar ka pranuar që të jetë pjesë e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi. Gjatë negociatave, Forumi shqiptar arriti të përmbushë programin e tij sipas të cilit do të kemi decentralizim, bastoret dhe kazinotë do të vendosen në sistem krejtësisht ndryshe nga ajo që janë tani deri në mbyllje totale dhe që do të sigurojmë pension të pleqërisë për të gjithë qytetarët. ne do të punojmë në interes publik, për avancimin e programit tonë, barazinë e të gjithë qytetarëve dhe kombeve, dhe veçanërisht në ngritjen ekonomike të të gjithë qytetarëve”, shkroi Gjeloshaj.
Në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, zgjedhjet e 12-ta këto parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006, shqiptarët siguruan si asnjëherë më parë 6 vende në parlamentin e ri që nga 81 vende në total, tre prej tyre duke përfaqësuar direkt shqiptarët dhe interesat e tyre përmes partive nacionale.
Të drejtën për të krijuar qeverinë e ka fituar koalicioni i presidentit Jakov Milatovic, i cili nuk siguroi dot për çdo rast mjaftueshëm mandate për të qeverisur të vetëm, ndaj i nevojitej ndihma e partive të tjera.
Gjeloshaj qe shprehur atëherë se nuk mund të ketë një qeveri të ardhshme pa praninë e minoriteteve, dhe sidomos pa “të paktën dy përfaqësues nga lista e tyre”.
Top Channel