Komedia “Vanja & Sonja & Masha” u shfaq për herë të parë në Amfiteatrin Antik të Durrësit, nën yjet e natës nga artistë të mirënjohur të skenës së teatrit.
E shkruar nga dramaturgu amerikan Christopher Ferdinand Durang me regji të Driada Dervishit, komedia numëron 42 shfaqje dhe vjen në Durrës 9 vjet pas premierës së shfaqur në kryeqytet.
Drama të vogla e të mëdha të njerëzve të zakonshëm e të famshëm u ngjitën në skenë plot situata dhe humor, si një përballje mes brezave dhe ndikimit të dinamikave sociale dhe teknologjike që koha sjell në jetët e të gjithëve.
Vanja dhe Sonja janë vëlla e motër me jetë të pajetuara deri në çastin kur gjithçka ndryshon nga një ftesë e motrës së madhe, një yll kinemaje që vjen si një uragan për t’u marrë dhe shtëpinë e prindërve.
Komedia ngjiti në arenën e Amfiteatrit aktorët Yllka Mujo, Neritan Liccaj, Olta Daku, Zamira Kita, Paola Kodra dhe Xhuliano Brisku. Përmes humorit dhe batutave, personazhet sjellin në vëmendje dhe ftojnë për reflektim mbi atë që po ndodh me jetët e gjithsecilit dhe rëndësinë e lidhjes së fortë me familjen dhe rrënjët. Emocion dhe kënaqësi për publikun dhe aktorët.
Shfaqja dy herë fituese në çmimet Kult e KokoFest, që vjen e përshtatur në kohë me realitetin shqiptar, do të vijë dhe të mërkurën në mbrëmje në skenën e hapur të Amfiteatrit Antik, ndërsa të shtunën do të vihet në skenë, për një natë të vetme “Ferma e Kafshëve” nga George Orwell.
Top Channel