Vetëm pak ditë pasi Rusia dështoi keqas në përpjekjet për të ulur sonden e saj në polin jugor të Hënës, India përgatitet të kthehet në vendin e parë në botë që arrin ta realizojë vërtet një gjë të tillë.
Përpjekja e saj për një udhëtim drejt satelitit të vetëm natyror të Tokës shihet si një moment historik për vendin tashmë më të populluar të globit, që tenton tu afrohet kështu fuqive tradicionale hapësinore.
Chandrayaan-3 është planifikuar të arrijë pranë polit jugor hënor pak të eksploruar rreth orës 18:00, sipas orës lokale. Hindustan Times e quajti këtë “Dita D për Misionin e Hënës”. Një tentativë e mëparshme e Indisë për të bërë diçka të ngjashme dështoi në vitin 2019. Fakti që misioni i parë i Rusisë në Hënë në pothuajse 50 vjet nuk solli së fundi veçse rrëzimin e sondës së saj, nuk e dekurajon Indinë, që duket e bindur pjesa e fundit e udhëtimit të anijes së vet kozmike drejt polit jugor atje, do të ketë sukses.
Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore (ISRO) duket se ka bërë disa korrigjime pas dështimit të katër viteve më parë, kur shkencëtarët humbën kontaktin me anijen kozmike disa momente para uljes së planifikuar. Misioni u nis gati gjashtë javë më parë para mijëra spektatorëve, por kësaj anije kozmike iu desh shumë më shumë kohë për të arritur në Hënë sesa atyre të misioneve Apollo të viteve 1960 dhe 1970, të cilat mbërritën brenda pak ditësh.
India po përdor raketa shumë më pak të fuqishme se ato që përdornin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në atë kohë, që do të thotë se sonda duhet të rrotullohet disa herë në Tokë për të fituar shpejtësi përpara se ta nisë trajektoren e saj hënore njëmujore.
Top Channel