Vrau me dashje të dashurin dhe një shok duke përplasur makinën në mur, momenti kur 19-vjeçarja merr dënimin

22/08/2023 11:24

Mackenzie Cirilla, 19 vjeç nga Ohio, u dënua me 15 vite burg pasi u shpall fajtore për vrasjen e të dashurit dhe një shoku të tij në korrik 2022, kur ajo përplasi makinën, në të cilën udhëtonin dy të rinjtë në një mur.

Dje, e reja shpërtheu në lot teksa u dënua për vrasjen e 20-vjeçarit Dominic Russo dhe mikut të tij 19-vjeçar Davion Flanagan.

“Ajo kishte një mision dhe e ekzekutoi me saktësi. Misioni i saj ishte vdekja”, tha gjyqtarja Nancy Margaret Russo, kur shpalli vendimin fajtor të Cirilla disa ditë më parë.

“Veprimet e saj ishin të kontrolluara, metodike dhe të qëllimshme. Ky nuk është një incident i drejtimit të pakujdesshëm. Kjo është vrasje”, tha gjyqtarja.

 

Një nga provat më bindëse që e bënin 17-vjeçaren në atë kohë fajtore, ishte video që tregon se ajo rrit shpejtësinë e automjetit të saj Toyota Camry, për ta përplasur në murin e një pallati.

“Kjo është një video që do të mbetet përgjithmonë në memorien tonë”, vuri në dukje gjyqtarja, duke iu referuar terrorit absolut që dy të rinjtë duhet të kenë përjetuar në momentet e tyre të fundit.

Siç vë në dukje Law and Crime, dënimi i vendosur ndaj 19-vjeçares, i cili e lejon atë të aplikojë për lirim me kusht në 15 vjet, është më pak i rëndë se sa pritej, pasi gjyqtari Rousseau ra dakord me qëndrimin e Prokurorisë se shkelësi nuk ka shfaqur pendim për krimin e saj.

Përpara se të ngriheshin akuzat kundër saj nëntorin e kaluar, Cirilla u pa duke u kënaqur në një koncert në karrocën e saj me rrota, të cilën ajo e kishte përdorur ndërsa po shërohej nga përplasja shkatërruese. Pas aksidentit ajo po kërkonte punë si modele, duke dashur të bënte një fillim të ri në jetën e saj.

Gjatë gjykimit, prokurorët i paraqitën gjykatës prova që tregonin se vajza 17-vjeçare në kohën e aksidentit, kishte kryer sjellje kërcënuese dhe të rrezikshme ndaj të dashurit të saj. E reja e kishte kërcënuar 20-vjeçarin në një sherr të mëparshëm që kishin në makinë se do të shkaktonte me dashje një aksident trafiku, ndërsa dëshmitarët dëshmuan se e kishin parë edhe atë ta godiste. Sipas aktakuzës, vajza e ka fyer dhe kërcënuar në mënyrë sistematike viktimën, duke i shkaktuar dëme pronës së tij. Para përfundimit të tij tragjik, Dominic hezitoi ta merrte në shtëpinë e tij, gjë që shkaktoi tensione edhe më të mëdha nga e reja.

Rreth një javë përpara se ajo të përplaste qëllimisht makinën e saj në mur me shpejtësi 100 mph (160 km/h), vajza kishte vozitur të njëjtën rrugë disa herë, ndoshta për të “provuar” përpara se të vriste të dashurin e saj, sipas provave të paraqitura në gjykatë. Eksperti që ka ekzaminuar makinën ka dëshmuar se në momentet para përplasjes është shtypur plotësisht gazi dhe nuk ka pasur as frenimin më të vogël.

Vetë Cirila nga ana e saj pretendon se përplasja ka qenë një aksident tragjik, për të cilin edhe ajo është e shkatërruar.

“Do të doja të kujtoja atë që ndodhi”, tha 19-vjeçarja në gjykatë dje, duke pretenduar se Dominic Russo ishte “shpirti i saj” dhe nuk do të mendonte kurrë ta dëmtonte atë.

 

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA