18 gushtin e vitit 1976, një anije kozmike katër metra e gjatë, e quajtur Luna-24, zbarkoi në Mare Crisium, një rrafshinë në hemisferën veriore të Hënës.
Katër ditë më vonë, mjeti i ndërtuar nga sovjetikët u kthye në tokë, me kampionë të çmuara dheu hënor, disa prej të cilave shkencëtarët sovjetikë i shkëmbyen më vonë me kolegët e tyre në NASA, në emër të bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar.
Tani, gati gjysmë shekulli më vonë, kur teknologjia ka avancuar me ritme thuajse të paimagjinueshme, inxhinierët rusë u përpoqën ta përsërisin këtë arritje, duke synuar të ulnin një anije kozmike të mbushur me instrumente shkencore në hemisferën jugore të satelitit të vetëm natyror të Tokës, por dështuan në mënyrë spektakolare.
Anija hapësinore u përplas në sipërfaqen e Hënës, incidenti më i fundit ky i një vargu dështimesh, turpërimesh dhe skandalesh që e kanë goditur Roskosmosin gjatë kësaj dekade, duke nxjerrë në pah zbehjen e industrisë së njohur të hapësirës, arritjet pioniere të së cilës në vitet ’50 dhe ’60 tani kanë mbetur vetëm një kujtim i largët.
Leroy Chiao, ish-astronaut i NASA-s dhe ish-komandant i Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar thotë se ky është vetëm treguesi i radhës sesi programi hapësinor rus/sovjetik është përkeqësuar ndër vite.
“Bota i ka parë telashet e shumta të tyre me ushtrinë, të cilat u theksuan nga problemet që po i hasin në luftën e tyre në Ukrainë”, theksoi Chiao.
“Fakti se ata nuk mund ta kryejnë një mision në Hënë siç e bënë më 1976, flet shumë për gjendjen e industrisë së tyre të hapësirës ajrore sot”, shton ai.
Aleksandr Zheleznyakov, inxhinier i raketave, e pohoi se industria ruse e hapësirës nuk është në hap me teknologjinë e re dhe se fatkeqesisht, Rusia, e ka humbur disi ndër vite kompetencën për fluturime hapësinore dhe për zbarkime në planetët e tjerë.
Top Channel