Sulmi në zemër/ Simptoma paralajmëruese që tregon rrezikun e lartë të vdekjes

21/08/2023 12:59

Një studim i ri, i publikuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës, pohon se pacientët që përjetojnë dhimbje muaj pas një ataku në zemër përballen me një rrezik të shtuar të vdekjes.

Përfundimi i këtij studimi sugjeron se simptoma e dhimbjes mund të veprojë si një parashikues i rreziqeve shëndetësore dhe mbijetesës së një personi pas një ataku në zemër.

Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, një atak në zemër ndodh afërsisht çdo 40 sekonda në SHBA, me moshën mesatare të pacientëve të vlerësuar në 65.6 vjeç për burrat dhe 72 vjeç për gratë.

Dhimbja është një simptomë mjaft e zakonshme pas një sulmi në zemër dhe zakonisht është për shkak të ekzistencës së kushteve të tjera shëndetësore. Sipas hulumtimeve të reja, mund të parashikojë mbijetesën afatgjatë. “Shkakton humbje të konsiderueshme të funksionalitetit dhe mund të çojë në paaftësi. Hulumtimet tregojnë se është i lidhur me një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes”, tha autorja e studimit Linda Vixner, profesore e asociuar e shkencës mjekësore në Shkollën e Shëndetit dhe Mirëqenies në Universitetin Dalarna të Suedisë.

Ekipi i studimit analizoi të dhënat shëndetësore të më shumë se 18,300 të rriturve nga regjistri suedez SWEDEHEART. Pjesëmarrësit ishin mesatarisht 62 vjeç, kishin pësuar të paktën një sulm në zemër (midis 2004 dhe 2013), dhe 24.5% e tyre ishin gra.

Rezultatet e analizës së të dhënave zbuluan se:

-Pothuajse 45% e pjesëmarrësve raportuan dhimbje të moderuara ose të forta një vit pas sulmit në zemër.

-Ata që përjetuan dhimbje të moderuara u përballën me një rrezik 35% më të lartë për të vdekur nga çfarëdo shkaku gjatë 8.5 viteve që zgjati studimi.

-Ata që raportuan dhimbje të forta kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa të vdisnin.

65% e pjesëmarrësve që përjetuan dhimbje 2 muaj pas sulmit në zemër kishin të njëjtën simptomë një vit më vonë, një gjetje që tregon dhimbje të vazhdueshme dhe afatgjatë.

“Është e rëndësishme që dhimbja të vlerësohet dhe të njihet si një faktor i rëndësishëm rreziku për vdekshmërinë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, është një simptomë që parandalon rikuperimin dhe pjesëmarrjen në aktivitete të rëndësishme mbrojtëse të shëndetit kardiovaskular, siç janë ushtrimet e rregullta. Reduktimi ose mungesa e aktivitetit fizik, nga ana tjetër, rrit rrezikun për shëndetin e pacientit. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme të reduktohen faktorët e tjerë të rrezikut, si duhani, presioni i lartë i gjakut dhe nivelet e larta të kolesterolit”, përfundon Dr. Vixner.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA