Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, njoftuan se po e vëzhgojnë nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndikimi potencial i të cilit ende nuk dihet.
OBSH-ja pohoi se është duke e mbajtur nën vëzhgim variantin BA.2.86, të identifikuar deri tani në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas organizatës përgjegjëse për shëndetësinë, ky variant bart më shumë se 30 mutacione, një numër ky tepër i lartë.
BA.2.86 është aktualisht edhe në lupën e Qendrave amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, me argumentin se koronavirusi nuk është më aq i ashpër, por ky veprim është OBSH-ja, që bën thirrje për më shumë monitorim.
Sipas një deklarate të saj, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus dhe 2.300 vdekje. Shifra e infektimeve përbën një rritje prej 63 për qind, krahasuar me periudhën paraprake 28-ditore, ndërsa ajo e viktimave është 56 për qind më e vogël.
Që prej fillimit të pandemisë dhjetorin e vitit 2019, më shumë se 6.9 milionë njerëz humbën jetën prej saj në mbarë botën. Numrin më të madh të vdekjeve e patën Shtetet e Bashkuara, të ndjekura nga India e Brazili.
Top Channel