SPAK mbylli hetimet për ish kryebashkiakun e Fushë Arrëzit Franc Tuci i cili akuzohet për shpërdorim detyre që dyshohet se e kreu në bashkëpunim me përfaqësuesin e njësisë administrative të Iballës Ndoc Marku.
Nga mos përmbushja e detyrës, SPAK thotë se ish zyrtari i bashkisë i shkaktoi dëm shtetit prej 234 milionë lekë, që konsiderohen si pasojë ndaj fondit pyjor nga hapja e një rruge rurale. Në fashikullin që Top Channel disponon thuhet se hetimet u hapën pas kallëzimit të shtetasit Lekë Bicuku , i cili kishte licencë për shfrytëzim minerar në fshatin Lëvozhë.
Pasi njoftoi IKM Shkodër, qytetari kërkoi hetimet nga prokuroria e Pukës, mbasi konstatoi hapjen e një rruge , që nga ekspertët rezultoi me një gjatësi prej 1.8 kilometër. Për këtë ndërhyrje ish kryebashkiaku Tuci ka dhënë dëshminë e tij në prokurori ku dhe argumenton se shërbimin e kreu për banorët e zonave rurale dhe se nuk ka shpërdoruar detyrën. Bashkia e Fushë Arrëzit ka buxhet të vogël dhe ishte e pamundur që të siguronim fonde për hapjen e një rruge. “Pasi të ardhurat u garantuan nga banorët që vazhdimisht kërkonin një rrugë, e çmova të arsyeshme të mos i pengoja”-thotë në fashikull Tuci .
Sipas tij kjo vendimmarrje ishte në të mirën e komunitetin dhe për tu përmirësuar jetën banorëve. Por hetimet e SPAK konsiderojnë se rruga është ndërtim i paligjshëm përderisa nuk ka një studim dhe plan dhe për këtë duhet të përfundojë nën akuzë edhe shtetasi Durim Margjekaj, si përfaqësues i kompanisë që kreu punimet duke shkatërruar sipas prokurorisë fondin pyjor.
Top Channel