Jude Bellingham ishte një nga transferimet më të bujshme të kësaj merkatoje teksa kaloi nga Borussia Dortmund tek Real Madrid për shifrën e 113 milionë paundëve.
20-vjeçari ishte padyshim ylli i verdhezinjve dhe i preferuari i tifozerisë në Signal Iduna Park.
Megjithatë, Bellingham duket se nuk gëzonte simpatinë e ish-shokëve të skuadrës, të paktën kjo është që raporton prestigjiozja “Bild”. Sipas të përditshmes gjermane, mesfushori kërkonte qendrën e vëmendjes dhe kjo nuk i pëlqente aspak shokëve të skuadrës që ndiheshin të injoruar nga britaniku.
Edhe në kohën kur pjesë e Borussia Dortmund ishte Erling Haaland, sërish Bellingham kërkonte të bëhej protagonist, teksa nuk i përshëndeste tifozët me pjesën tjetër të skuadrës, por shkonte i vetëm para ultrasve.
Drejtuesit e Dortmund i dhuruan Bellingham edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje, por sërish kjo nuk mjaftoi që shokët e skuadrës ta konsideronin një lider. Ndaj, tashmë ambienti te gjermanët duket i “çliruar” dhe lojtarët e verdhezinjve nuk janë më nën hijen e Bellingham. /Supersport
Top Channel