Gjatë muajit korrik, rreth 91 mijë persona, kryesisht turistë dhe emigrantë, hynë në vendin tonë përmes portit të Durrësit për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Rreth 123,210 pasagjerë dhe 39,480 automjete udhëtuan nga dhe drejt portit të Durrësit përgjatë muajit korrik, ndërsa fluksi vijon më i lartë këtë muaj.

Referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, gjatë muajit që lamë pas, tragetet e linjës Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona sollën në vend mbi 90,965 qytetarë, ndërkohë që 32,242 udhëtarë janë regjistruar në dalje nga vendi ynë drejt Italisë fqinje.

Ndërsa një vit më parë, në muajin korrik rreth 115,143 pasagjerë kanë udhëtuar nga dhe drejt portit të Durrësit përgjatë muajit korrik. 84,540 pasagjerë janë regjistruar në hyrje dhe 30,603 pasagjerë janë regjistruar në dalje nga vendi ynë drejt brigjeve italiane.

Një rritje e konsiderueshme e pasagjerëve është reflektuar veçanërisht gjatë dy javëve të fundit të muajit korrik, ku tragetet kanë sjellë me mijëra bashkatdhetarë që jetojnë e punojnë jashtë kufijve, por edhe shtetas të huaj.

Të njëjtat burime portuale bëjnë me dije se rritja e ndjeshme e udhëtarëve pasqyrohet edhe në raport me muajin paraardhës ku kanë lundruar me tragete rreth 50,000 pasagjerë në total. Një rritje e konsiderueshme me 73,207 udhëtarë më shumë se qershori 2023.

Përgjatë kësaj periudhe një mujore rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trailerave dhe kamionëve të përpunuar në terminalin e trageteve ku numërohen 20,802 mjete më shumë se muaji qershor.

Ndërkohë vijojnë lundrimet e dyfishta të trageteve të cilat do jetë në funksion të përballimit të fluksit të shtuar të udhëtarëve i cili pritet të shënojë rritje progresive edhe në javët e ardhshme duke sjellë kështu edhe rritje të angazhimit dhe vigjilencës dhe angazhimit të të gjitha autoriteteve operuese në pikën kufitare kryesore të transportit detar në vend.

Top Channel