Kostandinos Argjiros në Gjirokastër/ Këngëtari grek jep koncert, qyteti nuk kishte më vende për fjetje

14/08/2023 20:00

Gjirokastra ka mirëpritur një koncert madhështor të Kostandinos Argjiros një prej këngëtarëve më në zë në Greqi aktualisht.

Koncerti që u ndoq nga disa mijëra vetë u mbajt në kalanë e qytetit.

Eventi ishte njoftuar kohë më parë dhe solli në Gjirokastër përveç publikut lokal dhe turistëve qindra fansa të këngëtarit Argjiros.

Ai u prezantua në këtë ngjarje me hitet më njohura të dekadës së fundit përfshi këngën hit ndërkombëtar “Athina ime” apo edhe hite të albumeve “ Himeromata”, “Eleftheros”, “Lioma” “Ti na to kano” “ Psemata”.

Publiku e ka shoqëruar muzikën me vallëzim dhe ka kënduar disa nga hitet më të njohura të Argjiros.

Sot Kostandinos Argjiros ka marrë dhuratë nga bashkia e qytetit çelësin e Gjirokastrës një dhuratë dhe titull që ju është dhënë kryesisht personaliteteve të artit dhe kulturës.

“Ky është qytet i përbotshëm, prej 2005 është pjesë e UNESCO-s dhe ne gjirokastritët e kemi të vështirë të japim çelësin. Po të dhamë çelësin të kemi hapur jo vetëm derën por edhe zemrën. Ky çelës shkon për Argjiron”- tha Flamur Golemi.

Vetë këngëtari ka falënderuar për mikpritjen dhe se qytetin dhe ngrohtësinë e këtij qyteti i ka tashmë në zemër.

“Nuk kisha interpretuar më parë në ndonjë mjedis kaq potent si kalaja e Gjirokastrës. Jam ndjerë veçanërisht i emocionuar me kumbimin e muzikës mbi kështjellë, ngrohtësinë e njerëzve, këtë nder që më bëhet duke më dorëzuar çelësin e qytetit dhe ju premtoj që do ta mbaj të gjithë këtë në zemër.”– tha Kostandinos Argjiros.

Ngjarja bëri që Gjirokastra të rezervohet 100% përgjatë fundjavës në pritje dhe përgjatë koncertit. Shumë vizitorë kërkuan zgjidhje për akomodimin në rrethina dhe qytetet fqinjë.

Për herë të parë qindra fansa grekë të Kostandinos Argjiros kanë shijuar disa destinacione të Jugut të Shqipërisë  që këtë verë janë duke rezervuar më shumë nga vizitorët grekë se vitet paraardhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA