Shkollimi i vajzave dhe grave pranohet botërisht nga më shumë se 200 shtete dhe territore, përfshirë edhe nga pothuajse 50 shtete me shumicë myslimane.
Por, talibanët, sundimtarët e linjës së ashpër të Afganistanit, kanë ndaluar adoleshentet afgane që të ndjekin mësimin pas klasës së gjashtë. Ndalesa është bërë pasi islamistët u kthyen në pushtet dy vjet më parë. Kjo ndalesë u zgjerua në dhjetorin e vitit të kaluar, duke përfshirë edhe gratë që ndiqnin studimet në universitete.
Protesta të shumta të mbajtura nga afganët brenda shtetit, presioni ndërkombëtar dhe lobimi i studiuesve myslimanë dhe klerikëve kanë dështuar që të bindin liderët fundamentalistë talibanë që të rihapin shkollat.
Ekspertët janë të ndarë nëse ndalesa është e rrënjosur në mënyrën se si interpretimi i islamit nga talibanët është formësuar nga zakonet dhe praktikat kulturore të fisit konservator pashtun, apo nëse nxitet nga mënyra se si ideologët e lartë talibanë interpretojnë mësimet islame.
Shumica e liderëve talibanë janë pashtunë etnikë, klerikë myslimanë sunitë. Shumica prej tyre janë shkolluar në medresetë Deobandi në Pakistanin fqinj. Deobandizmi u shfaq si një lëvizje rilindëse islamike puritane në Indinë koloniale britanike në shekullin e 19-të. Bazuar në shkollën sunite të drejtësisë, Hanefi, kjo lëvizje krijon tensionet kryesore mes islamistëve në Afganistan dhe Pakistan.
Ndikimet fisnore
Sami Yousafzai, një gazetar afgan dhe komentator, argumentoi se kufizimet e talibanëve ndaj grave janë të lidhura me zakonet shoqërore dhe praktikat kulturore në veri dhe lindje të Afganistanit.
Shumica e liderëve talibanë vijnë nga komunitete të ndryshme rurale pashtune në rajonet që janë në kufi me Pakistanin.
“Ata besojnë se vendi i gruas është ose brenda shtëpisë ose në varr”, tha Yousafzai, për besimin themelor taliban të ndikuar nga statusi i grave në familjet e klerikëve dhe udhëheqësve fetarë në këto rajone pashtune.
“Gratë që jetojnë në shtëpitë e politikbërësve aktualë talibanë nuk janë shkolluar kurrë dhe nuk kanë dalë kurrë nga shtëpia”, tha Yousafzai, i cili ka raportuar për grupin islamik që kur u shfaq si milici në provincën jugore afgane të Kandaharit në fund të vitit 1994. “Këto gra kurrë nuk kanë pasur pozita në Qeveri dhe nuk kanë punuar në ndonjë organizatë joqeveritare”.
Yousafzai tha se talibanët mbështesin politika të formësuara nga ky botëkuptim që anon kah mësimet islamike që mbështesin këto ide. Ai tha se liderët talibanë mbështeten nga thëniet që i atribuohen profetit Muhamed që dekurajojnë gratë që të dalin nga shtëpitë.
“Besimi i tyre themelor është se vajzat në pubertet nuk duhet të dalin nga shtëpia në asnjë rrethanë”, tha ai. “Prandaj kjo është arsyeja pse ata i shohin gratë që dalin nga shtëpia për t’u shkolluar ose për të punuar si persona që përfshihen në korrupsion moral”.
Në Afganistan, shtet mysliman me afër 40 milionë banorë, aktivistët dhe avokuesit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët se zbatojnë “aparteid gjinor” duke mohuar gratë që të shkollohen, të punojnë, të kenë liri të lëvizjes dhe të vendosin se si të duan të duken në publik.
Shumica e myslimanëve pajtohen se islami lejon gratë që të shkollohen. Megjithatë, talibanët publikisht thonë se do t’iu lejojnë vajzave qasje në arsim vetëm pasi të sigurohet një ndarje e plotë gjinore dhe kushte të tjera të paspecifikuara.
Pothuajse të gjitha shkollat e mesme në Afganistan janë të ndara në baza gjinore dhe universitetet vendosën ndarje strikte mes grave dhe burrave pasi talibanët morën pushtetin.
Yousafzai tha se në shoqëritë konservatore dhe tradicionale myslimane në mbarë botën, disa klerikë po ashtu janë në favor të kufizimeve në shkollimin e grave, në punësim dhe në rolin e tyre në jetën publike. Por, qeveritë në këto shtete zakonisht kundërshtojnë ose kufizojnë ide të tilla.
Në vitet e fundit, Arabia Saudite – një prej shtete sunite myslimane më konservatore – ka lejuar gratë që të ngasin makina dhe u ka dhënë lirinë e lëvizjes pa përcjelljen e një shoqëruesi. Këto hapa janë pjesë e një reforme dhe modernizimi të nxitur nga Princi i Kurorës, Muhammad bin Salman.
Ndalesa e shkollimit nga talibanët ka kërkuar dënim universal nga myslimanët në mbarë botën.
“Ndalesa e talibanëve për shkollimin e grave nuk i ka rrënjët te ligji [islamik] i Sheriatit, por pasqyron paragjykimet kulturore që bien ndesh me mësimet e islamit”, tha Salam al-Marayati, president i Këshillit për Çështje Publike Myslimane në Shtetet e Bashkuara.
Luftëtarë talibanë të armatosur qëndrojnë pranë një imami gjatë Lutjeve të së Premtes në xhaminë Abdul Rahman në Kabul më 20 gusht 2021.
Ai tha se për dallim nga praktikat e talibanëve, “islami thekson rëndësinë e kërkimit të dijes dhe inkurajon të gjithë individët, pavarësisht nga gjinia, që të shkollohen”.
Konflikti historik
Por, dijetarët islamikë dhe ata që kanë tentuar të bindin talibanët për rihapjen e shkollave për vajzat japin një shpjegim tjetër.
John Mohammad Butt, një studiues islamik dhe ish-gazetar në BBC i cili është personi i vetëm nga Perëndimi që ka përfunduar studimet në Darul Uloom Deoband të Indisë, argumentoi se politika e talibanëve ndaj shkollimit të vajzave nuk është çështje fisnore, por është e formësuar nga konflikti shekullor mbi shkollimin modern.
“Problemi është se shkollimi i vajzave në Afganistan – vërtetë arsimim bashkëkohor në përgjithësi – në këtë shtet përgjithësisht është futur si pjesë e një agjende laike”, tha ai.
Mahtaba, 8-vjeçare, në një klasë në shkollën Abdul Rahim Shaheed në Kabul më 23 prill. Pasi talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, ata ndaluan shkollimin e mesëm për vajzat.
Në vitet 1920 një koalicion i klerikë konservatorë, i fiseve dhe liderët e komuniteteve rrëzuan Mbretin Amanullah Khan. Ai dëshironte të modernizonte Afganistanin në linjë me politikën laike të liderit turk, Kemal Ataturk, që avancoi arsimimin modern dhe të drejtat e grave.
Ky kundërshtim i modernitetit dhe sekularitetit vazhdoi dhe klerikët konservatorë kundërshtuan shkollimin e grave dhe të drejtën e tyre që të punonin. Ky kundërshtim u bë pjesë kyçe e opozitës islamiste ndaj qeverive pro-sovjetike afgane pasi puçi ushtarak i prillit të vitit 1978 i dha fund monarkisë afgane. Muxhahedinët akuzuan komunistët se po përhapnin imoralitet duke promovuar shkollimin e grave dhe fuqizimin e tyre.
“Kjo ka çuar në një kujdes të posaçëm nga qarqet konservatore në Afganistan sa i përket shkollimit të vajzave”, tha Butt.
“Bindje e thellë ideologjike”
Obaidullah Baheer, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Afganistanit u bë pjesë e përpjekjeve për të shfuqizuar vendimin për ndalimin e shkollimit që talibanët morën vitin e kaluar.
Por, ai tha se përpjekjet dështuan sepse “ndalesa është çështje e një bindjeje të thellë ideologjike” për liderin aktual suprem të talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada.
Baheer tha se shumica e liderëve kryesorë talibanë kanë studiuar në medresetë pakistaneze dhe kështu që janë shkëputur nga jeta e fshatit dhe e fiseve.
“Ata janë të indoktrinuar nga shkolla e mendimit Doebandi dhe ata tani zbatojnë ndaj popullit afgan versionin më strikt të islamit”, tha ai.
Ai argumentoi se ndalimi i shkollimit të vajzave është një politikë e qëllimshme që përkrahet nga Akhundzada, i cili, siç tha ai, ka miratuar librin në gjuhën arabe, Emirati Islamik dhe Sistemi i tij. Ky libër është shkruar nga shefi afgan i Drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani. Në këtë libër, Haqqani mbështet mendimin ekstrem islamik duke zgjedhur si të preferuarën njërën prej grave të profetit MUhamed, Sawdah Bint Zam’ah, e cila zgjodhi të qëndronte në shtëpi derisa vdiq.
Baheer tha se Haqqani ka injoruar faktin se gratë dhe shoqërueset e tjera të profetit kanë luajtur rol aktiv në shumë sektorë të shoqërisë dhe se ato ishin studente, por edhe mësuese për burrat.
“Ky mendim nuk përkrahet nga të gjithë liderët talibanë, por është njëri që ka sovranitetin absolut, emiri taliban, e i cili duket se e përkrah plotësisht”, tha ai.
Butt tha se edhe Haqqani e ka pranuar parimin se nëse diçka ka që gratë duhet të veprojnë, atëherë gjithashtu ka diçka tjetër që gratë duhet të mësojnë.
“Shpresoj që autoritetet talibane ta kuptojnë se në një të ardhme jo aq të largët shkollimi i vajzave do t’i bëjë gratë afgane myslimane më të mira”, tha ai. “Do t’iu mundësojë atyre që të japin kontribut më të fuqishëm për mirëqenien e shtetit të tyre”.
Dy vjet të përballur me këtë çështje, diplomatët perëndimorë duket se kanë inkurajuar afganët konservatorë dhe qarqet e klerikëve që të gjejnë mënyra për t’i dhënë fund ndalesës.
Tom West, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, së fundi ka shkruar në X se gratë afgane duhet të shkollohen dhe të kontribuojnë në ekonomi, në mënyrë që shteti i tyre të mund të ngrihet në këmbë.
“Nëse bëhen ndryshime në politike, do të jetë sepse afganët kanë kërkuar që këto ndryshime të bëhen e jo si pasojë e kërkesave të të huajve”, shkroi ai./ REL
Top Channel