Portugali: Evakuime për shkak të zjarreve të pyjeve

09/08/2023 08:48

Zjarrfikësit portugezë po luftojnë prej ditësh me vatra flakësh në jugperëndim të vendit. 1400 vetë u evakuuan për shkaqe sigurie.

Pyjet e Portugalisë janë përfshirë nga zjarre të shumta dhe brigadat e zjarrfikësve, ato të mbrojtjes civile si dhe ndihmës të tjerë po vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e tyre.

Zjarret më të mëdha kanë përfshirë Odemirën në jugperëndim të vendit, Leirian në qendër dhe Cinfães dhe Mangualde në veri.

Vetëm në Odemira janë duke luftuar aktualisht me flakët rreth 900 forca. Për shkak të zjarrit u desh të evakuoheshin në zona të sigurta më shumë se 1,400 vetë nga 20 qytete dhe një kamping.

Zjarre të reja

Deri tani nga flakët janë shkatëruar rreth 7000 hektarë sipërfaqe pyjore, pra një sipërfaqe sa rreth 10,000 fusha futbolli.

Sipas informacioneve zyrtare gjatë të martës në të gjithë vendin kanë rënë edhe 38 zjarre të reja, por ato janë fillimisht me përmasa më të vogla

Përveç tyre vazhdojnë të jenë aktive edhe 15 zjarre më të mëdha. Gjithësesi ato janë relativisht nën kontroll, njoftuan autoritetet portugeze.

Rreziku vazhdon

Temperaturat e larta mbi 40 gradë Celsius dhe në disa raste edhe erërat e forta e kanë vështirësuar ndjeshëm punën e zjarrfikësve dhe gjashtë avionëve zjarrfikës.

Shërbimi metereologjik IPMA paralajmëron për rrezik të nivelit më të lartë të zjarreve të pyjeve në më shumë se gjysmën e territorit të Portugalisë, veçanërisht në veri dhe në qendër të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Lisbonë. Rreziku pritet të ulet ndjeshëm vetëm nga fundjava. Një tjetër faktor rreziku është thatësira e zgjatur./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA