Ish-Presidenti Trump, kritika të ashpra ndaj prokurorit të posaçëm Smith

09/08/2023 16:48

Gjykatësja federale në çështjen e fundit penale kundër ish-Presidentit Donald Trump, ka caktuar të premten një seancë dëgjimore, ku do të shqyrtohet kërkesa e prokurorëve, që ish presidenti dhe avokatët e tij të mos zbulojnë publikisht provat e këtij rasti.

Ish-Presidenti tha se do të vazhdojë të flasë hapur për çështjet penale kundër tij, gjatë një tubimi me mbështetësit e tij në New Hampshire të martën.

Trump ofendoi prokurorin e posaçëm Jack Smith dhe përsëriti pretendimin e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të manipuluara.

Gjykatësja Tanya Chutkan ka urdhëruar avokatët e Donald Trumpit dhe prokurorët federalë që të paraqiten në gjykatë të premten, për një seancë dëgjimore lidhur me rregullat se si mund të përdoren dhe ndahen provat që kanë prokurorët për aktpadinë e fundit kundër ish presidentit, që përmban akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe nxitje të protestave të dhunshme në Kapitol më 6 janar 2021.

Prokurorët kërkuan nga gjykatësja Chutkan që të nxjerrë një urdhër, që provat konfidenciale të mos bëhen publike nga Trump, duke sugjeruar se ai mund të përdorte të dhënat e rastit për të frikësuar dëshmitarët.

Avokatët e Trump thonë se një urdhër i tillë është shumë i gjerë dhe do të kufizonte të drejtën e fjalës së lirë të ish presidentit, e garantuar nga Amendamentit të Parë i Kushtetutës.

“Do të flasë për këtë çështje. Nuk do të ma marrin të drejtën e Amendamentit të Parë”, tha zoti Trump gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij në New Hampshire.

Trump ofendoi prokurorin e posaçëm Jack Smith, të cilin e quajti “prokuror bandit dhe “njeri i çmendur”.

Në aktpadinë me katër pika, Departamenti i Drejtësisë akuzon ish Presidentin se u përpoq të bllokonte transferimin paqësor të pushtetit.

Sipas prokurorisë, Trump i ishte thënë disa herë nga burime të besueshme se pretendimet e tij për manipulime në zgjedhje ishin të rreme, por ai vazhdoi përhapjen e tyre, për të mbjellë mosbesim ndaj zgjedhjeve.

Ish-presidenti tha në gjykatë se është i pafajshëm, ndërsa të martën përsëriti gënjeshtrat e tij për manipulim të zgjedhjeve.

“Për asnjë sekondë të ditës nuk kam dyshuar nëse zgjedhjet ishin të manipuluara. Ishin të manipuluara, ishin zgjedhje të neveritshme dhe të vjedhura. Ky vend duhet të turpërohet”, tha Trump.

Ai i ka quajtur hetimet si të motivuara politikisht dhe tha se Departamenti i Drejtësisë po e detyron të shpenzojë kohë dhe para larg fushatës zgjedhore, për t’u përballur, siç u shpreh ai, me akuzat e sajuara.

“Kjo është ajo që po bëjnë. Më falni, nuk do të mund të shkoj në Ajova sot. Nuk do të vij në Nju Hempshër, sepse jam i ulur në një sallë gjyqi për budallallëqe, sepse prokurori i përgjithshëm më akuzoi për diçka”, tha Trump.

Kjo është aktpadia e tretë penale kundër ish-Presidentit në më shumë se katër muaj, dy aktpadi janë nga autoritetet federale dhe tjetra nga shteti i Nju Jorkut. Në total, të tre aktpaditë përmbajnë 78 akuza penale ndaj ish-presidentit.

Një padi e katërt pritet të ngrihet në fund të këtij muaji në Xhorxhia, ku një prokurore lokale, ka hetuar zotin Trump dhe aleatët e tij, për ndërhyrje në zgjedhjet e këtij shteti.

Sipas një përllogarie të bërë nga portali ‘Politico’, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat e ngritura deri tani dhe i jepet dënimi maksimal, Trump mund të përballet me deri 641 vite burg.

Megjithatë, gjyqet nuk janë zhvilluar ende dhe ekspertët ligjorë thonë se ish-presidenti mund të shmangë dënimin me burg, duke negociuar me prokurorët për dënime të lehta në shkëmbim të pranimit të fajësisë dhe duke apeluar dënimet e mundshme.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar atë mes kandidatëve të tjerë republikanë për president. Ai vazhdon të dominojë me diferencë të thellë ndaj të tjerëve.

Por me të paktën dy procese gjyqësore, që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, çështjet penale ka të ngjarë të hedhin një hije të errët mbi garën presidenciale dhe titujt e lajmeve.

Megjithëse rezultati i akuzave mbetet i pasigurt, ekziston një konsensus midis ekspertëve ligjorë, që edhe nëse dënohet, zoti Trump mund ta vazhdojë fushatën elektorale për t’u zgjedhur president.

Kushtetuta amerikane përcakton tre kërkesa kryesore për kandidatët presidencialë: të jenë shtetas amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara, të jenë të paktën 35 vjeç dhe të kenë banuar në Shtetet e Bashkuara për jo më pak se 14 vjet.

Megjithatë, Kushtetuta nuk shprehet për rastet e kandidatëve të akuzuar, apo të dënuar nga gjykatat.

Kjo do të thotë se Trump mund të kandidojë për president si një kriminel i dënuar apo edhe pas hekurave, siç bëri Eugene V. Debs, kandidati presidencial i Partisë Socialiste, më shumë se një shekull më parë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA