Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se vendet perëndimore duhet të mbajnë premtimet e tyre për riaktivizimin e marrëveshjes me Rusinë për të lejuar eksportet e grurit ukrainas, të ndërmjetësuara nga Ankaraja dhe OKB-ja.
“Shpresoj që të gjejmë një bazë të përbashkët për këtë çështje. Nuk ka dyshim se zgjidhja e këtij problemi pa ndonjë bllokim të mëtejshëm varet nga vendet perëndimore të cilat duhet të mbajnë premtimet e tyre”, tha Recep Tayyip Erdogan, President i Turqisë.
Kjo deklaratë i referohet telefonatës më të fundit të liderit turk me presidentin rus Vladimir Putin, i cili refuzoi të zgjasë marrëveshjen.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara në korrik 2022, përfundoi muajin e kaluar pasi Moska vendosi të mos e rinovojë atë.
Pas përfundimit të marrëveshjes së rëndësishme, Putin ka këmbëngulur se do të rikthehet në marrëveshje vetëm nëse ndërkombëtarët do të tërheqin sanksionet e vendosura vendit të tij si pasojë e luftës në Ukrainë.
Që nga dita e mbylljes së marrëveshjes, portet ukrainase të furnizuara me grurë janë goditur vazhdimisht me raketa.
Dëmet mbeten të rënda, por ende nuk ka një raport përfundimtar të sasisë që është shkatërruar.
Top Channel