Ekipi amerikan në futboll u skualifikua nga Kupa e Botës për femra pasi humbi me Suedinë të dielën.
Loja përfundoi pa gola edhe pas lojës shtesë, por amerikanet humbën me penallti me rezultatin 5-4.
Ekipi amerikan që është shpall kampion katër herë në Kupat e Botës për femra, u skualifikua duke lënë të kuptohet se ekipet tjera e kanë rritur cilësinë e lojës.
Ekipi i amerikaneve gjithashtu u shfaq i çorganizuar gjatë gjithë këtij Botërori. Kampionet në fuqi u skualifikuan në fazën e eliminatoreve duke arritur vetëm një fitore kundër Vietnamit dhe barazime zhgënjyese kundër Holandës dhe Portugalisë.
“Unë mendoj se kjo tregon shumë për rritjen e cilësisë së lojës”, tha mbrojtësja amerikane Crystal Dunn dhe shtoi “unë mendoj se shumë njerëz po kërkojnë që ne të fitojmë ndeshjet me rezultate 5-0 dhe të fitojmë Kupat e Botës”.
“Ne duhet të jemi krenarë që kjo nuk ndodh më. Ne, si anëtare të ekipit kombëtar të femrave të SHBA-së, kemi luftuar gjithmonë për rritjen e cilësisë së lojes globalisht, dhe mendoj se kjo është ajo që po shihni”.
Pas medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të Tokios dhe tani skualifikimit të hershëm nga Kupa e Botës, e ardhmja e trajnerit Vlatko Andonovski me ekipin amerikan është e pasigurt ndërsa përgatitet për turneun tjetër të madh, Lojërat Olimpike që do të mbahen në Paris, vitin e ardhshëm.
Zoti Andonovski mori detyrën nga Jill Ellis, e cila udhëhoqi amerikanet drejt titujve të tyre të njëpasnjëshëm të Kupës së Botës më 2015 dhe 2019.
Ekipi amerikan i futbollit për femra lëshoi një deklaratë të shkurtër të hënën në mëngjes.
“Siç bëjmë gjithmonë pas një turneu madhor, ne do të bëjmë një rivlerësim për të identifikuar fushat ku duhet të përmirësohemi dhe për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm. Ndërsa shohim drejt të ardhmes, ne jemi të gatshëm për punën e vështirë që është e nevojshme për t’u bërë përsëri kampionë.”
Përveç rritjes së cilësisë së lojës nga konkurrenca, Shtetet e Bashkuara patën edhe një tjetër problem, lojtaret e pa-përvojë që ishin pjesë e ekipit.
Shtetet e Bashkuara sollën 14 lojtare në Kupën e Botës që nuk kishin luajtur kurrë në këtë garë më parë. Në të vërtetë, 12 prej tyre nuk kishin luajtur kurrë në një turne madhor.
Pati reagime në rrjetet sociale dhe në mesin e ekspertëve që ndiqnin ndeshjen, kritikë si për taktikat e trajnerit Andonovski e po ashtu edhe për reagimin e lojtares Megan Rapinoe pasi humbi penaltinë kundër Suedisë. Pasi topi nuk përfundoi në rrjetën e suedezeve, ajo qeshi, duke shpjeguar më vonë se ajo ishte e bindur se do të shënonte.
Megan Rapinoe, ylli më i njohur nga Kupa e Botës e vitit 2019, nuk ishte në nivelin siç ishte dikur. Në moshën 38-vjeçare dhe pas dy titujve të fituar të Kupës së Botës dhe një medalje të artë olimpike, ndikimi i saj ishte më i vogël kësaj radhe. Ajo njoftoi para fillimit të turneut se ky do të ishte Botërori i saj i fundit.
Pas ndeshjes, mbrojtësja Julie Ertz tha gjithashtu se ishte hera e fundit që kishte veshur fanellën e SHBA-së.
Ishte gjithashtu e qartë se Shteteve të Bashkuara u mungonin edhe disa lojtare të rëndësishme.
Mallory Swanson, golashënuesja më e mirë e skuadrës për këtë vit dhe sulmuesja dinamike, Catarina Macario, nuk arriten të bëhen pjesë e ekipit në këtë Kupë të Botës për shkak se ishin të lënduara, njëjtë siç ishte rasti edhe me Becky Sauerbrunn, kapitenen e ekipit.
Top Channel