Dy autorët e dyshuar të vrasjes së Luljeta Prezës janë lënë “arrest me burg” nga Gjykata e Durrësit ditën e sotme.
“Të kalbet brenda nëse e ka bërë djali im.” Kështu ka deklaruar nëna e Aldo Brahimit, Donika Hamzaj në pritje të vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij dhe Ylli Grabovarit.
Familjarë të Aldo Brahimit, 22-vjeçarit të akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të Luljeta Prezës kanë mbërritur nga Grabjani i Lushnjes në Durrës për të ndjekur seancën për caktimin e masës së sigurisë në gjykatë.
Nëna dhe njerku i 22-vjeçarit deklaruan se kishte disa javë që Brahimi ishte larguar nga shtëpia për të mbledhur kanaçe.
E ëma u shpreh se nuk kishte dijeni se me çfarë merrej i biri ndërkohë që nuk kthehej në shtëpi, deri kur në derë i është shfaqur policia.
Luljeta Preza nga Sukthi, pjesë e komunitetit rom u gjet e pajetë poshtë Urës së Dajlanit para pesë ditësh.
Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00 të 2 gushtit, poshtë Urës së Dajlanit, viktima është konfliktuar me Aldo Brahimin 22-vjeç dhe Ylli Grabovarin 45-vjeç për motive të dobëta. Më pas dy personat e kanë goditur me thikë dhe si pasojë ajo ka humbur jetën në vendin ku u gjet trupi.
Dyshohet se viktima kishte konsumuar kokainë, së bashku me tri vajzat e identifikuara si B. S. 28 vjeçe, M. M. 26-vjeçe dhe një e mitur 15 vjeç. Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Nga hetimet e para rezulton se viktima bënte një jetë endacake dhe jo rrallëherë detyrohej të shiste trupin e saj për të fituar pak para e mbajtur veten gjallë.
Top Channel