Të paktën 4000 ton misër i korrur vitin e kaluar gjendet ende i magazinuar dhe i pashitur në depot e drithit në Finiq.
Fermerët kanë reduktuar këtë vit sipërfaqen e mbjellë për shkak të vështirësisë me gjetjen e tregut dhe konkurrencës prej prodhimit të importit. Sipërfaqja e mbjellë me misër në një nga fushat më pjellore të vendit shkon në 1100 ha që është vetëm 1/3 e kapacitetit kultivues të fushës së Vurgut kjo edhe për shkak të vështirësive me ujitjen dhe kostot e larta të karburantit për pompat zhytëse.
Agroni që kultivon misër prej 20 vjetësh tregon se e ka reduktuar sipërfaqen nga 40 ha vitin e kaluar në 12 ha këtë vit dhe se ende prodhimi i vjetshëm është i pashitur.
“Ma merr misrin me 260 lekë, unë nuk nxjerr koston. Shteti të marrë prodhimin vendas, nëse nuk plotësohen, atëherë të marrë nga jashtë.”
Bashkia e Finiqit me 58 fshatra është një prej bashkive kryesore bujqësore në vend. Ajo ka nën administrim një nga veprat më të mëdha të sistemit të vaditjes ndërtuar gjatë diktaturës, kanalin “Thoma Filipeu” me gjatësi 27 km si dhe gati 550 km kanale vaditëse dhe kulluese.
Investimet kapitale për mirëmbajtjen në funksion të bujqësisë kanë qenë minimale sipas kreut të sektorit të bujqësisë në bashkinë e Finiqit. Zyrtarisht pranohet se edhe çmimi i shitjes së prodhimit është pothuajse i përgjysmuar në raport me 2-3 vite më parë.
“Janë kanalet e amortizuara. Duhen fonde për të përballuar këtë situatë. Shumë kanë grurë në depot e tyre, arsyeja është çmimi i ulët.”- shprehet Aristotel Mitro, drejtor i bujqësisë.
Një tjetër problem madhor që po mban peng investimet private dhe mekanizimin e avancuar në bujqësi është mungesa e pronësisë mbi tokën.
“Nuk mund ta trashëgojë as ta shesë tokën, sepse nuk po marrin titullin e pronësisë. Deri më tani është azhornuar një fshat.”-shprehet Konstandin Suloti, specialist bujqësie.
Vetëm për procesin e regjistrimit fillestar të territorit të 10 fshatra që përkthehet në më shumë se 1700 fermerë bashkisë lokale do ti duheshin rreth 70 milionë lekë të rinj.
Top Channel