Në të 150 shtëpitë e fshatit “Andon Poçi” në Gjirokastër, i banuar prej popullsisë arumune jetojnë kryesisht të moshuar.
Fshati i themeluar në vitin 1957 si ndërmarrje bujqësore e tipit fermë, siguronte prodhime të rëndësishme për të gjithë luginën e Drinos para vitit 1990.
Pas viteve ‘90 emigracioni preku çdo familje të fshatit dhe sot në një nga zonat më pjellore të luginës së Drinos, jetojnë vetëm të moshuar. Ata punojnë me orë të zgjatura çdo ditë dhe e kanë kthyer zonën në një nga prodhuesit më të mëdhenj të lajthive në vend, përveç vreshtave që janë një traditë e hershme.
Por prodhimet nuk shiten dhe komuniteti i fermerëve pensionistë të fshatit, ndihet i pambrojtur dhe është i pafuqishëm ti diktohet tregut.
“Ku shitet lajthia, nuk shitet, kemi nga 23 kuintal nëpër shtëpi”- thanë banorët.
Edhe Andoni që është në fund të të 70- ave punon orë të tëra çdo ditë bashkë me bashkëshorten dhe tregon se ka prodhime të pashitura prej vitesh.
“Nuk ka as punëtorë, jemi kaq keq sa s’ta pret mendja.”- shprehet banorja.
Vetëm fshati “Andon Poçi” prodhon çdo sezon rreth 100 ton lajthi prej të cilave vetëm 40% gjejnë treg. Çmimi i tyre ka zbritur nga 450 lekë gjatë vitit 2018 në 180 lekë gjatë vitit të kaluar.
Kjo tendencë ka bërë që fillimisht sipërfaqe të konsiderueshme me vresht e tani edhe me lajthi, të braktisen nga fermerët.
Top Channel