Në ditën më të ngarkuar të verës në Balaton, i cili është liqeni më i madh në Evropën Qendrore dhe Lindore, rreth 500 anije me mijëra punëtorë të stafit “piqen” në diellin e nxehtë, teksa qindra spektatorë shikojnë nga bregu.

Gara e varkave me vela Fjongoja e Kaltër, që mbahet çdo vit për disa ditë gjatë hënës së parë të plotë të korrikut, është ngjarja më e madhe e lundrimit në vend, që tërheq një mori turistësh dhe marinarësh, të cilët garojnë rreth liqenit 79 kilometra të gjatë.

As këtë vit nuk ka diçka më ndryshe, përderisa turma mblidhet në Balatonfured, në një qytet banjash në bregun verior të Balatonit, ku fillon dhe përfundon gara. Pak përpara se jahtet të niseshin në orën 11:00, shitësit ishin të zënë me përgatitjen e akullores dhe pijeve për turmën, e cila tani po mbytet nën diellin e mesditës.

Si rezultat i kufizimeve të udhëtimit, mungesës së karburantit dhe kolapsit të mëvonshëm të forintës hungareze, popullariteti i liqenit Balaton u rrit gjatë pandemisë, duke rritur në mënyrë dramatike kostot.

Hotele të reja masive, plazhe artificiale dhe klube ekskluzive lundrimi u ndërtuan si rezultat i industrisë gjithnjë e më fitimprurëse të turizmit në Balaton. Kjo bëri që liqenit t’i referoheshin si “deti hungarez” në vendin pa dalje në det.

Megjithatë, për shkak të popullaritetit të liqenit, me një ndryshim në prirje për t’u shërbyer klientëve më të pasur dhe inflacionit të furishëm të Hungarisë, ushqimet në plazh dhe akomodimet në Balaton me çmime të arsyeshme, tani konsiderohen luks për hungarezët.

Varkat me vela gjatë garës Fjogoja e Kaltër, rreth liqenit Balaton në korrik të vitit 2019.

Madje, shumë vendas nuk kanë më mundësi për të jetuar atje, duke i shtyrë kështu disa të zhvendosen.

Në një stacion treni në anën tjetër të liqenit, në qytetin Balatonfoldvar, një familje kanadeze pret trenin e tyre. Nëna ka lidhje me Hungarinë dhe rreth 30 vjet më parë, kalonte verën këtu buzë liqenit. Ajo pohoi njësoj siç thonë shumë hungarezë: Balatoni nuk është më i lirë.

Çmimet në liqen janë rritur deri në 15 për qind. Ushqimet e plazhit, të tilla si langos – një brumë i skuqur i shërbyer tradicionalisht me salcë kosi dhe djathë – në disa vende janë shtrenjtuar pothuajse dyfish. Norma zyrtare e inflacionit në Hungari ka qenë dyshifrore që nga pandemia e koronavirusit dhe tani qëndron në 20 për qind, pasi arriti kulmin prej 26 për qind në janar.

Është e çuditshme të shohësh një familje të huaj kanadeze në Balaton. Në vitin 2022, më pak se 25 për qind e vizitorëve në Balatonfured ishin të huaj në krahasim me 81për qind të vizitorëve në Budapest. Këtë verë, lokacione të shumta në Bullgari, Greqi dhe Itali janë më pak të shtrenjta sesa liqeni Balaton për turistët e huaj dhe hungarezë, me tarifat mesatare të akomodimit që sillen rreth 75 dollarë për natë.

Për më tepër, as mos mendoni të blini një shtëpi nëse nuk jeni të pasur. Sipas agjentes së pasurive të paluajtshme Balatonfured, Fatime Major Bekefi, vlerat e pronave në zonë tani kanë arritur sikur në Budapest, destinacioni më i njohur turistik i vendit. Shumë hungarezë të pasur kanë blerë shtëpi të dyta apo të treta në qytet, pavarësisht faktit se popullsia lokale e banimit po shënon rënie që nga viti 2016.

Shëtitorja e Balatonfuredit, e cila më parë ishte e mbushur me bare tradicionale dhe restorante familjare tani është “shtëpi” e një punishteje vere organike të sapondërtuar, me mure xhami, klube të shumta nate dhe një kafene të njohur me pastiçeri dhe sandviçë. Ndërsa këto ndërtime më ekskluzive kanë pasur gjithmonë një klasë myshterinjsh në Balatonfured, ato po i largojnë gjithnjë e më shumë ato më modeste.

Turistët e mbledhur në bregun e liqenit Balaton për të ndjekur një festival peshku më 2019.

“Shumë njerëz u larguan”, tha Major Bekefi. “Jo vetëm për shkak të çmimeve, por për shkak të turmave [turiste] që erdhën në Balatonfured”.

Ajo lindi dhe u rrit në Balatonfured dhe hapi biznesin e saj, Balaton World of Property, nëntë vjet më parë. “Ishte një qytet i vogël. Por, me numrin e njerëzve që vizitojnë, nuk ka më të njëjtin karakter. Sidomos gjatë verës”, tha ajo. Shumë nga banorët e qytetit, sipas saj, janë zhvendosur në fshatrat përreth.

Me çmimet e larta të pronave dhe normat e larta të hipotekave, të rinjtë vendas po hasin në vështirësi për të blerë prona në Balatonfured, ku shumica e tyre duhet të marrin me qira. Mirëpo, as kjo nuk është e lehtë, thotë Major Bekefi, pasi “ka pak prona me qira dhe çmimet janë rritur”. Shumë nga pronat me qira në treg synojnë turistët dhe bien në kategorinë e luksit, me qira deri në 400.000 forintë (1.190 dollarë) në muaj.

“Një çift në Balatonfured nuk fiton kaq shumë”, shtoi ajo, duke theksuar se apartamentet për rreth gjysmën e kësaj shume janë më të kërkuarat.

Me vendasit jashtë tregut, shumë pronarë shtëpish i kanë vendosur shpresat e tyre te blerësit e huaj. Por kjo është e kotë, thotë Major Bekefi. “Të huajt vinin këtu sepse mendonin se ishte e lirë. Por, nuk është më”, tha ajo.

Nga lart, liqeni duket si një rrip blu bruz i gërshetuar mes fushave të gjelbra dhe pyjeve, ndërsa nga plazhet e bregut, Balatoni mund të duket si det, pavarësisht se është vetëm 14 kilometra i gjerë në pikën e tij më të gjerë. Ana veriore e liqenit është e njohur për malet dhe vreshtat e saj, ndërsa ana jugore, e sheshtë është e njohur për plazhet e cekëta.

Të vendosur përgjatë bregut të liqenit, ka fshatra në të cilat duken kisha mesjetare dhe shtëpi tradicionale tërheqëse.

Një pamje e fshatit Csopak, që shtrihet buzë liqenit Balaton.

Jo vetëm se vendasit nuk janë në gjendje të blejnë pasuri të paluajtshme në këtë parajsë në Hungari, po shumë prej tyre nuk mund të vizitojnë as plazhin. Shumica e plazheve të Balaton tani janë të mbyllura, dhe hyrja kushton diku midis disa qindra e deri në 10.000 forintë. Pijet freskuese shiten me çmime të larta. Sipas të dhënave të vitit 2020, paga mesatare mujore neto në zonë është 240.000 forintë (rreth 710 dollarë), duke i bërë këto plazhe private përgjithësisht të paarritshme për ata që fitojnë shumë më pak.

Sipas Roland Molnarit, kryetar i Shoqatës për të Rinjtë e me Pengesa të Veszpremit, një qytet vetëm 14 kilometra nga Balatoni, shumë të rinj ose njerëz me të ardhura të ulëta shpesh nuk mund të arrijnë as në liqen. Sipas një sondazhi të vitit 2016, vetëm rreth gjysma e fëmijëve që rriteshin pranë Balatonit mund të notonin. Molnar, i cili u rrit në një shtëpi fëmijësh, thotë se shumë fëmijë vendas nuk do të mund të bënin as pushime në breg të liqenit nëse nuk do të ishin kampet e drejtuara nga qeveria ose kishat.

Në dekadat e fundit të epokës komuniste, pushimet në Balaton ishin një shenjë statusi: Vendbanimi më i madh i pushimeve për Partinë Socialiste të Punëtorëve Hungarezë në pushtet ishte në qytetin Aliga, pjesa e liqenit më afër Budapestit. Në ndërtesat e stilit sovjetik, këtu qëndronin ndër të tjerë, kryeministrat komunistë, Matyas Rakosi dhe Janos Kadar, lideri sovjetik, Nikita Hrushov, në vitin 1959, kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, në vitin 1961 dhe udhëheqësi kuban, Fidel Castro, në vitin 1972.

Ky ekskluzivitet mbetet edhe sot – dhe ndoshta edhe më i theksuar.

“Më shumë Balaton, më pak Bruksel”, shkroi kryeministri i krahut të djathtë Viktor Orban në Facebook në vitin 2020, ndërsa qëndronte në një pronë në fshatin Felsoors në pronësi të dhëndrit të tij, Tiborc Istvan. Familja e Orbanit nuk është e vetmja. Shumë politikanë nga partia qeverisëse Fidesz dhe familjet e tyre zotërojnë prona pranë liqenit: ish-ministrja e Drejtësisë, Judit Varga, ka tri prona në fshatin Balatonhenye, ndërsa ministri aktual i Jashtëm, Peter Szijjarto, zotëron gjithashtu tri të tilla në qytetin Balatonederics.

Njerëzit e afërt me Fidesz thuhet se kanë qenë të përfshirë në dhjetëra punime të reja ndërtimi pranë liqenit, duke përfshirë hotele, klube jahtesh dhe plazhe, sipas raportimeve në mediat hungareze. Një klub lundrimi në Balatonfoldvar, një qytet në bregun jugor, ku trenat operojnë çdo orë nga Budapesti, është një nga ndërtimet e fundit. Ekziston një klub privat lundrimi, ende jo i përfunduar, përpara njërit prej dy plazheve të qytetit që mbështetej nga kryetari i qytetit Fidesz. Nëse kompletohet projekti, klubi ekskluziv i lundrimit mund të mbyllë një pjesë të plazhit.

Në pushtet që nga viti 2010 dhe ende i famshëm me shumicën e hungarezëve, Orban dhe partia e tij Fidesz janë akuzuar nga kritikët brenda dhe jashtë vendit për shkelje të demokracisë dhe korrupsion. Në vitin 2022, Parlamenti Evropian e përshkroi Hungarinë si një “autokraci zgjedhore”.

Shumë vendas po luftojnë kundër shndërrimit të Balatonit në një shesh lojërash për të pasurit.

“Plazhi u përket plazhistëve”, tha Karoly Herenyi, një marinar, banor vendas dhe ish-president në detyrë i Forumit Demokratik Hungarez majtist.

Herenyi thotë se plani origjinal për një klub më të vogël lundrimi, i dyti në qytet, u hartua për herë të parë në vitin 2003, por u braktis në vitin 2010. Në vitin 2019, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, u prezantua një ide e re, më ambicioze, me një plan për të akomoduar 175 varka.

Herenyi është kryetar i Shoqatës për një Balatonfoldvar të Buzëqeshur, një organizatë qytetare që fokusohet që ta mbajë qytetin një vend të mundur për të jetuar për vendasit. Grupi ka ndalur me sukses ndërtimin e klubit të lundrimit në gjykatë disa herë me arsyetimin se mbështetësit e tij nuk u konsultuan me popullsinë vendase ose nuk hartuan një plan me ndikim në mjedis.

“Kjo marinë lundrimi në ndërtim nuk ka asnjë licencë apo sfond ligjor. Është ndërtuar kundër ligjit,” tha ai, duke shtuar se administrata e qytetit po kërkonte mënyra për ta bërë atë të ligjshme në mënyrë retroaktive.

Ndërkohë, shoqata e tyre po kërkon mënyra ligjore për të rinovuar plazhin duke hequr dy shtyllat e ndërtuara për klubin e lundrimit. Plazhi dikur tërhiqte 40.000 njerëz në vit, thotë Hereny. Aktualisht është falas dhe, në një pasdite të nxehtë korriku, ka vetëm disa dhjetëra njerëz.

“Përgjithësisht ka më pak njerëz [që vijnë këtu tani]”, tha Hereny. “Jo vetëm për shkak të klubit të lundrimit, por sepse vendasit nuk kanë para. Sidomos me inflacionin e ushqimeve rreth 35-40 për qind, njerëzit nuk mund ta përballojnë këtë”.

Herenyi thekson gjithashtu se duke e bërë plazhin pa pagesë, qyteti ka humbur rreth 4 milionë forintë të ardhura të mundshme nga tarifa e hyrjes, e cila dikur ishte 1000 forintë (rreth 3 dollarë) për person, një shumë e përballueshme për një hungarez me të ardhura mesatare.

“Uji është si veshka e këtij rajoni. Nëse nuk funksionon në mënyrë të duhur, do të shkaktonte dëme në mjedis…”

Nëse duan ta rrëzojnë klubin e papërfunduar të lundrimit, ata thjesht do ta zhvendosin në Csopak, një vend buzë liqenit ku një marinë tjetër po ndërtohet pavarësisht kundërshtimeve lokale, thotë ai, duke cituar një burim të paidentifikuar pranë partisë Fidesz.

Vendasit e Balatonit janë gjithashtu të shqetësuar për efektet që mund të kenë zhvillimet e reja të pronave në mjedis. Ndërtimi i marinës do të kishte pasoja mjedisore për të gjithë liqenin, thotë Hereny.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh për efektet e ndotjes në florën dhe faunën e liqenit, i cili është shtëpia e specieve të panumërta të rrezikuara, dhe rreziqet e mbajtjes artificialisht të larta të niveleve të ujit, gjë që mund të rrisë rrezikun e përmbytjeve. “Liqeni Balaton është në një freskore “, tha për Shërbimin Hungarez të Radios Evropa e Lirë, Andras Zlinszky, një limnolog dhe konservator.

Andrea Tarrone Gyarmathy, pronar dhe banor i një apartamenti lokal, dhe Lorant Csomai, themelues i një kafeneje të “valës së re” në Lovas, një fshat afër Balatonfuredit, janë të dy anëtarë të një OJQ lokale mjedisore, Koalicioni për Liqenet e Mëdha, dhe që të dy kanë qenë aktivë në raportimin e atyre që ata i konsiderojnë si ndërtime të reja pa leje.

“Uji është si veshka e këtij rajoni. Nëse nuk funksionon në mënyrë të duhur, do të shkaktonte dëme në mjedis, duke përfshirë edhe dëme sociologjike dhe ekonomike”, tha Csomai, kui cili garoi si kandidat i pavarur në këshillin komunal të Lovas në vitin 2019.

Ata nuk shqetësohen vetëm për efektet e projekteve të reja të ndërtimit, por edhe për rritjen e trafikut në zonë. “[Disa] njerëz që tani vozisin këtu, udhëtojnë 250 kilometra çdo ditë për në punët e tyre në kryeqytet ose qytete të tjera të mëdha”, tha Csomai.

Sipas Csomait dhe Tarrone Gyarmathyt, çështjet mjedisore janë injoruar nga qeveria aktuale. “Ata po heqin mundësinë për të folur për çështjet mjedisore…Dhe kështu, ata krijuan një shans për të grabitur pellgun e Karpateve nga burimet dhe thesaret e tij natyrore”, shtoi Csomai.

Me Koalicionin për Liqenet e Mëdhenj synojnë të edukojnë banorët vendas, turistët dhe kompanitë lidhur me efektet mjedisore të këtyre ndërtimeve.

“[Kufizimet] duhet të ishin rishikuar 20 vjet më parë. Ne po kërkojmë [ndërmarrjet e ndërtimit] që të ndalojnë, të rimendojnë, të llogarisin efektet mjedisore dhe më pas të marrin parasysh këto llogaritje”, tha Tarrone Gyarmathy.

Aktualisht, turmat vazhdojnë të shkojnë në Balatonfured për garën e lundrimit. Me 13.000 banorë vendas dhe renditur si atraksioni i pestë më i popullarizuar turistik i Hungarisë në vitin 2022, qyteti kishte rreth 100.000 netë vizitorësh në vit. Megjithatë, ka të dhëna se turistët kanë filluar të ikin për shkak të çmimeve të rritura.

Sipas vlerësimeve të mediave hungareze, turizmi rreth liqenit ka rënë me 40 për qind këtë verë.

Si pronare e apartamenteve me qira për pushime, Tarrone Gyarmathy thotë se, këtë vit, dhomat e saj janë të rezervuara vetëm deri në mes të gushtit. Në vitin 2022, thotë ajo, të gjitha apartamentet e saj u rezervuan për të gjithë verën nga qershori.

“Për kë janë ndërtuar këto hotele masive?”, pyeti ajo. Hungarezët që kanë para të mjaftueshme për të shpenzuar këtu, kanë blerë tashmë prona, thotë ajo, ose do të shkojnë jashtë vendit, ndërsa njerëzit më pak të pasur nuk kanë para për të shpenzuar për pushime të kushtueshme për shkak të inflacionit.

Nëse flluska Balaton “shpërthen”, pronarët e bizneseve vendase janë të shqetësuar se — ashtu si me çmimet e fryra dhe mbipopullimi — do të jenë kryesisht ata që duhet të përballen me pasojat ekonomike dhe do të mbeten duke mbledhur copat./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA